Francë, Le Pen siguron kandidaturën

13/03/2012 00:00

Liderja e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen deklaron se ka
siguruar mbështetjen e 500 zyrtarëve të zgjedhur për të marrë pjesë në
garën presidenciale.

Kandidatja e Frontit Kombëtar, që renditet e treta në sondazhe, deklaroi javën e kaluar se kishte probleme me grumbullimin e 500 firmave brenda afatit që skadon këtë të premte, por tani duket se telashet kanë marrë fund.

“Tani i kam 500 firma dhe do të jem kandidate në zgjedhjet presidenciale”, ka deklaruar Le Pen për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Liderja e Frontit Kombëtar pritet të bëjë një deklaratë zyrtare më vonë, gjatë një takimi elektoral në Pas de Calais, në veri të Francës.

Ndërkohë, sondazhi i fundit, i kryer nga institucioni Ifop, vendos presidentin Nicolas Sarkozy në krye, për herë të parë që nga nisja e fushatës elektorale, por nga ana tjetër i jep rivalit socialist Francois Hollande fitoren në raundin e dytë.

Sipas sondazhit, Sarkozy do të fitojë 28.5 për qind të votave në raundin e parë që do të mbahet më 22 prill, Hollande 27 për qind, Le Pen 16% dhe kandidati i Qendrës, Francois Bayrou 13%.

Ndërsa raundi i dytë, që do të mbahet në muajin maj, sipas të njëjtit sondazh, do të fitohet nga Hollande me 54.5 për qind të votave kundrejt 45.5 për qind të Sarkozy.

Ndërkohë, ditën e hënë, gjatë një takimi elektoral Sarkozy kërcënoi Evropën se vendi i tij do të dalë nga marrëveshja Schengen nëse nuk do të bëhet më shumë për të luftuar migracionin e paligjshëm.

Po dje, një gazetë online në Francë publikoi një lajm që rëndonte figurën e presidentit aktual, me pretendimin se ai kishte marrë 60 milionë euro nga ish-lideri libian Muammar Gaddafi.

Top Channel