Ekonomia europiane kërcënohet nga thatësira

13/03/2012 18:40

Një kërcënim i ri i kanoset ekonomisë europiane, ndonëse këtë herë ai nuk ka lidhje me krizën e borxheve apo mënyrën se si funksionon ekonomia globale.

Agjensia Europiane e Mjedisit paralajmëroi se rezervat ujore të kontinentit janë ndër më të ultat e regjistruara ndonjëherë dhe situata pritet të përkeqësohet edhe më tej. Diçka e tillë mund të dëmtojë rëndë aktivitetet ekonomike në Europë, sidomos ato që lidhen me bujqësinë.

Sipas raportit të publikuar të martën në Marsejë, sasi të pafundme uji janë duke u shpërdoruar në mënyrë joefikase. AEM paralajmëroi se pa krijuar një legjislacion kundër shpërdorimit të ujit, është e mundur që brenda një kohe vërtet të shkurtër, kontinentit të përballet me një mungesë kritike të rezervave ujore.

”Është veçanërisht shqetësues fakti që një numër gjithmonë e më i madh rrjedhjash lumore kanë prurje gjithmonë e më të kufizuara, si rrjedhojë e ndryshimeve klimaterike që janë duke u përjetuar”, deklaroi drejtoresha ekzekutive e EEA-s, Jacqueline McGlade.

”Aktualisht, shtetet europiane nuk janë përgatitur për të përballuar me efikasitet këtë situatë të re dhe kjo mund të krijojë kriza të paparashikueshme humanitare apo ekonomike në të ardhmen”, paralajmëroi ajo.

Në listën e vendeve që kanë akses ndaj ujit të pijshëm, Shqipëria është një prej më mirë të pozicionuarave, me 97% të popullsisë sonë që kanë një furnizim të vazhdueshëm.

Në Europë, sipas statistikave të publikuara, shteti më i rrezikuar nga thatësirat është Rumania, ku vetëm 58% e popullsisë nuk kanë probleme në sigurimin e ujit të pijshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA