Bashkimi Europian pezullon fondet për Hungarinë

13/03/2012 16:40

Bashkimi Europian vendosi të pezullojë 495 milionë euro fonde investimesh për Hunagrinë në vitin e ardhshëm, për shkak të mosarritjes së Budapestit për të vendosur nën kontroll defiçitin buxhetor.

Kjo është hera e parë që Brukseli merr masa konkrete kundër një vendi antar që tejkalon normën e vendosur buxhetore. Megjithatë, BE informoi se mund të rikonsiderojë masën, nëse Hungaria do të ndërmarrë një reformë të thellë kursimi brenda tre muajve.

Vendimi i BE-së vjen pasi Spanjës iu lejua që të tejkalojë kufirin e vendosur buxhetor për 2012-n, pasi Madridi kishte dhënë garanci të mjaftueshme për rikthimin e parametrave të kërkuara brenda vitit të ardhshëm.

Sipas Traktatit të Mastrihtit, i cili ka themeluar monedhën euro dhe bashkimin ekonomik të Europës, një vend antar nuk mund të tejkalojë normën prej 3% të defiçitit buxhetor dhe atë të 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në të shkuarën, këto dy kufinj janë injoruar vazhdimisht nga vendet antare, por respektimi i tyre është rikthyer të konsiderohet si një çështje thelbësore, duke marrë në konsideratë krizën e borxheve që po përjeton aktualisht Eurozona.

Hungaria ishte paralajmëruar edhe më parë për këtë sanksion, ndërsa inflacioni i lartë i monedhës forint është gjithashtu një shqetësim i rëndësishëm për Brukselin.

Tashmë, qeveria e kryeministirt të shumëkritikuar, Viktor Orban, rrezikon që të mos plotësojë kushtet për të siguruar një kredi madhore nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pa të cilin mund të zhytet në një krizë të thellë financiare.

Top Channel