Turqi, gjykata liron 4 gazetarë

12/03/2012 22:00

Katër gazetarë turq, të akuzuar për përfshirje në një komplot për rrëzimin e qeverisë, janë liruar të hënën me vendim gjykate.

Ahmet Sik, Nedim Sener, Coskun Musluk dhe Sait Cakir ishin akuzuar se bënin pjesë në Ergenekon, një organizatë ushtarake sekrete.

Një gjykatë në Stambolli i liroi ata të katërt për shkak të kohës që kanë kaluar në burg dhe për faktin se akuzat ndaj tyre mund të ndryshojnë. Çështja shihej si një test për lirinë e medias në Turqi.

Katër reporterët ishin mes 13 personave të përfshirë në këtë çështje, gjashtë prej të cilëve mbetën në burg. Gazetarët janë akuzuar se kanë vepruar si krahu mediatik i grupit Ergenekon.

Mbështetësit e tyre thonë se gjyqi është i bazuar në prova të sajuara dhe synon t’u mbyllë gojën kundërshtarëve të qeverisë. Të afërmit dhe miqtë e gazetarëve të liruar i kanë pritur me brohoritje jashtë gjykatës.

“Vendimi i sotëm ishte një surprizë për Ahmetin dhe Nedimin. Ata nuk e prisnin atë”, tha vëllai i gazetarit Ahmet Sik për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Zoti Sik dhe zoti Sener kanë qenë nën mbikëqyrje për një vit dhe që të dy janë figura të njohura ne median turke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA