Një vit më parë, një juri ndërkombëtare shpalli në vendin e parë, mes 12 projekteve konkuruese për ndërtimin e kompeksit të ri parlamentar, një projekt të ideuar nga një studio austriake.
Por ky projekt sërish është në garë, pasi ende nuk është marrë vendimi përfundimtar, nëse do të jetë ky maket sipas të cilit do të ndërtohet Kuvendi i ardhshëm i Shqipërisë.
Të martën Komiteti shtetëror për kompleksin e ri parlamentar pritet të marrë këtë vendim, duke e vënë projektin e vendit të parë në garë me dy projektet pasardhëse, që u klasifikuan në vendin e dytë dhe të tretë, përkatësisht projekti i një studioje italiane dhe një studioje franceze.
Burime jozyrtare konfirmojnë për Top Channel se nga ofertat financiare për zbatimin e projektit, projekti italian, që u rendit i dyti, është më i favorizuari për t’u shpallur edhe si projekti përfundimtar.
Sipas vendimit të marrë, Parlamenti, që në këtë rast është në rolin e investitorit, nuk është i detyruar të lidhë kontratë me studion që merr më shumë pikë nga juria ndërkombëtare, nëse Kuvendi nuk është i kënaqur me kushtet e ofruara nga studioja fituese.
Megjithatë, cilido që të jetë projekti fitues, austriaku, italiani apo francezi, këta të tre janë përshkruar nga arkitektët si projekte që mbartin simbolin e transparencës dhe ndërveprimit të qytetarëve me Parlamentin.
Ajo që pritet të mësohet të martën është se sa do të kushtojë kjo simbolikë dhe nëse kompleksi i ri parlamentar do të nisë ndërtimin për 100-vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar.
Top Channel