Siri, masakrat në video

12/03/2012 00:00

Ajo çfarë ndodhi në lagjen me shumicë sunite, Karm az Zejtun, të Homsit është një masakër e vërtetë që erdhi vetëm pak orë pas fundit të vizitës së të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan.

Aktivistët publikuan në internet, një video ku shfaqen trupat e gjymtuar të 47 civileve mes të cilëve fëmijë dhe gra, të ekzekutuar nga milicitë besnike të regjimit.

Shumë prej tyre u është prerë koka apo gjymtyrët. Disa prej viktimave janë djegur të gjallë, ndërsa disa prej trupave kanë shenjat e plumbave.

Autoritetet siriane e konfirmojnë lajmin. Përmes një deklarate të publikuar nga agjencia zyrtare SANA, Ministria e Informacionit akuzon terroristët, të cilët sipas saj kishin rrëmbyer civilë dhe i kishin vrarë e masakruar brutalisht.

Ishin këta terroristë – sipas rregjimit – që i kishin shpërndarë pamjet në televizionet “Al Xhazira” dhe “Al Arabija”, me qëllimin e vetëm për t’ia atribuar krimin Damaskut. Në veri të Sirisë, brigadat e ushtrisë siriane, besnike të presidentit

Bashar Al Assad sekuestruan 35 persona, të gjithë civilë, në periferi të Idlibit. Siç raporton Abu Al Bara, përfaqësues i Komiteteve Revolucionare, mes personave të rrëmbyer ka gra dhe fëmijë. “Ushtarët kërcënojnë se do t’i vrasin nëse ushtarët dezertorë nuk dorëzohen”, tregoi ai për televizionin “Al Arabija”.

Pasi vuri nën kontroll qytetin Homs, ushtria siriane po përgatit një tjetër ofensivë spastruese në Idlib, ku ndodhen grupe kryengritësish. Në Deraa, në jug të vendit, në kufi me Jordaninë, pas shpërthimit të një autobombe humbi jetën një nxënëse dhe u plagosën 25 të tjerë të një shkolle. 

Apeli i Clinton: Të bëhemi bashkë për Sirinë

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të bashkohet në një zë të vetëm për zgjidhjen e çështjes siriane. Në një deklaratë të bërë ditën e hënë në Këshillin e Sigurimit, Clinton argumentoi se “fushata e dhunës në Siri” ka prekur ndërgjegjen e komunitetit ndërkombëtar”.

Clinton u shpreh: “Besojmë se ka ardhur koha për të gjithë vendet, edhe ato që më parë kanë bllokuar përpjekjet tona, që të mbështesin apelin humanitar dhe politik të paraqitur që më parë prej Ligës Arabe”.

Në një referencë të qartë ndaj Kinës dhe Rusisë, Clinton i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që “të flasë me një zë të vetëm, sepse vrasja e të pafajshmëve në Siri është bërë e papranueshme dhe është e domosdoshme që procesi i tranzicionit politik të nisë sa më shpejt”.

Përpara Clinton, edhe Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, William Hague, vlerësoi se duhet të rriten përpjekjet për të siguruar një zgjidhje për popullin sirian. Sipas të dhënave të deritanishme, 7-15 mijë persona kanë humbur jetën që kur protestat mbarëkombëtare nisën 12 muaj më parë, në vendin arab me 24 milionë banorë.

Lavrov: Jo manipulimit të OKB-së

Ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka deklaruar se Moska nuk pranon që OKB-ja të manipulohet për situatën në Siri, për të cilën ka shprehur shqetësim të madh.

Rusia dhe Kina kanë bllokuar rezoluta të mëparshme që dënonin regjimin
e Bashar al-Assad dhe që kërkonin largimin e tij, me argumentin se po
ndërhyhej në punët e brendshme të një shteti sovran dhe se nuk jepeshin
garanci për mosndërhyrjen ushtarake.

Juppe: Kina dhe Rusia të dëgjojnë zërin e Arabëve

Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe i ka bërë thirrje Kinës dhe Rusisë që të dëgjojnë “zërin e arabëve” përsa i përket çështjes siriane.

“Regjimi i Damaskut duhet të përgjigjet për veprimet e tij para drejtësisë”, ka thënë në të njëjtën mbledhje shefi i diplomacisë franceze.

Ki Moon: Përdorim i tepruar i forcës

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka akuzuar qeverinë siriane, se po përdor forcë të tepruar në disa qytete.

“Damasku vazhdon ofensivën e tij ushtarake në qytete të ndryshme, me operacione të turpshme”, ka deklaruar Ki Moon, i cili i ka bërë thirrje regjimit që të pranojë “brenda pak ditësh” propozimet e OKB-së dhe Ligës Arabe. 

Top Channel