Ish-presidenti kroat, Stjepan Mesic, i ka quajtur iluzionistë ata politikanë që mendojnë për ndërrim të kufijve në Ballkan.

Ai e ka bërë këtë deklaratë nga Prishtina, pas takimeve të ndara që ka zhvilluar me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, dhe zëvëndëskryeministrin Hajredin Kuçi.

“Kosova është shtet dhe kjo është e qartë për të gjithë. Arkitektura e Evropës me mëvetësinë e Kosovës ka përfunduar dhe këtu më nuk do të ketë ndryshime. Ka iluzionistë, të cilët mendojnë se edhe në Bosnje Hercegovinë mund të ndërrohen dhe kufijtë e Evropës në këtë pjesë mund të ndërrohen, por në këtë mënyrë mendojnë vetëm iluzionistët”, tha Mesic.

Po ashtu, Mesic, i cili edhe vitin e kaluar ka qëndruar në Kosovë, pas takimit me zëvëndëskryeministrin Hajredin Kuçi ka komentuar edhe marrëveshjen e fundit të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës, duke e vlerësuar pozitivisht.  

“Unë mendoj se ky është hapi i parë, e hapat tjerë do të vazhdojnë pas tij. Serbia nuk është e detyruar që ta njoh Kosovën, por Serbia duhet ta bëjë të mundur që rajoni të funksionojë, pra qytetarët të mos kenë pengesa në kufij dhe po ashtu mallrat mos të pengohen, pra kapitali mos të pengohet. Në këtë mënyrë rajoni të funksionon në të gjitha aspektet”, tha Mesic.

Ndërsa, kur është pyetur për veriun e Kosovës që vazhdon të mbahet i bllokuar nga strukturat serbe, ai e ka ndërlidhur këtë me rastin e okupimit të një pjese të Kroacisë nga serbët.

“Ne kemi reaguar në mënyra të ndryshme. Së pari kemi tentuar të reagojmë, kur një qerek i Kroacisë ka qenë i okopuar, që e tëra të zgjidhet përmes dialogut, por pasi që kjo nuk rezultoi me sukses, kemi ndërmarr aksione ushtarake, por ka mbetur një pjesë e okupuar, të cilin problem e kemi zgjidhur përmes dialogut”, ka deklaruar Mesiç, duke shtuar se këto bisedime kanë qenë shumë të suksesshme pasi problemi është zgjidhur pa gjakderdhje, dhe se edhe këtu do të jetë njëjtë.

Top Channel