Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt politik parlamentar në Kosovë që ka mbështetur Deklaratën Politike të miratuar nga 66 këshilltarët shqiptarë në tre komunat shqiptare në Luginën e Preshevës, në Serbi.

Në këtë deklaratë konfirmohet vullneti i shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës për t’u bashkuar me Republikën e Kosovës, në rast se do të paraqitet mundësia për të realizuar ndryshime territoriale.

Partitë tjera parlamentare në Kosovë, të kontaktuara nga “Zëri”, janë shprehur të rezervuara ndaj deklaratës, me bindjen se aprovimi i saj do të konsiderohej një provikim serioz nga Beogradi, duke krijuar kështu tensione që do të bllokonin dialogun midis të dy palëve.

Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së e AAK-së thonë se i kuptojnë kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të cilët mbeten tejet të diskriminuar në Serbi, por sipas tyre, ndryshimi i kufijve nuk është zgjidhje.
Ndonëse nuk e përkrahin vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkimin e tyre me Kosovën, ata janë pro një bashkëpunimi më të thellë ndërmjet përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës me institucionet e Kosovës.

Top Channel