Sllovaki, të majtët fitojnë zgjedhjet

11/03/2012 10:45

Partia social-demokrate në opozitë fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Sllovaki, duke grumbulluar 84 nga 150 vendet në Parlament.

Sondazhet e mëparshme kishin paralajmëruar se të djathtët në pushtet nuk do të ishin më në gjendje të ruanin shumicën. Kryeministri i ri, Robert Fico, ka premtuar që të vazhdojë me politikën e reduktimit të defiçitit buxhetor si dhe synon të aplikojë një sistem tatimi të ndryshëm për çdo klasë, me të pasurit që do të paguajnë më shumë përqindje të të ardhurave të tyre se sa të varfërit.

Qeveria në largim e qendrës së djathtë e kryeministres Iveta Radicova u përfshi në disa skandale financiare që e dëmtuan rëndë reputacionin e saj. Zgjedhjet e Sllovakisë u zhvilluan në mënyrë të parakohshme, vetëm dy vjet pas zgjedhjeve të shkuara, për shkak të shembjes së koalicionit qeverisës nga largimi i një partie të domosdoshme për të patur numrat e duhur në drejtimin e vendit.

Bratisllava iu kundërvu vendosmërisht planeve të Bashkimit Europian për krijimin e një pakete të ndihmës për të gjithë vendet në vështirësi financiare, por u tërhoq si rrjedhojë e presionit të madh ndërkombëtar.

Së fundmi, disa dokumente të zbuluara nga një media private dhe të përpiluara nga Shërbimet Sekrete të Sllovakisë, hidhnin dyshime të forta se në periudhën 1998-2006, të gjitha partitë e vendit ishin përfshirë në një skandal të madh korrupsioni.

Si rrjedhojë, protesta u zhvilluan në kryeqytet gjatë të gjithë ditës së zgjedhjeve, ndërsa pjesëmarrja arriti një rekord të ulët historik.

Top Channel