Kandidati për të fituar emërimin zyrtar të republikanëve në SHBA për t’u përballur me presidentin Obama në zgjedhjet e nëntorit, Rick Santorum, arriti një sukses të rëndësishëm në shtetin e Kansasit, në zgjedhjet brenda partisë.
Fitorja e tij në Kansas, një bastion i konservatorëve, ishte e paralajmëruar prej kohësh, ndërsa dy rivalët kryesorë, Mitt Romney dhe Newt Gingrich, nuk realizuan fushatë në këtë shtet.
Sipas të dhënave zyrtare, Santorum grumbulloi 51% të mbështetjes në Kansas, i ndjekur nga Romney me 21%, Gingrich me 14% dhe Paul me 13%. Për senatorin 45-vjeçar të Pensilvanisë, suksesi ishte i domosdoshëm për të qëndruar në garë për fitore.
Në të njëjtën ditë, Romney arriti disa suksese më të vogla, duke fituar në territoret e “përtej detit”, në ishullin e Guamit, në Marianet Veriore, ishujt e Virgjëra Amerikane dhe shtetin e Uajomingut.
Pas rezultateve të “super të martës”, në të cilën Romney doli një fitues i qartë në dhjetë shtetet ku u mbajtën votimet, Santorum ka nevojë për një seri fitoresh për të mbajtur ritmin.
Kandidati zyrtar i republikanëve për president do të zgjidhet ai konkurrent që do të fitojë një numër të tillë votash, të “përkthyera” me 1 144 delegatë ose ai që mbetet i fundit në garë nëse kundërshtarët tërhiqen përpara arritjes së këtij kufiri.
Aktualisht, Romney llogarit mbështetjen e 453 delegatëve, ndjekur nga Santorum me 217, Gingrich 107 dhe Paul 47.
Nga ana e tyre, demokratët nuk zhvillojnë fushatë për të zgjedhur kandidatin e tyre, pasi presidenti në fuqi, Barack Obama, do të konkurrojë për një mandat të dytë.
Top Channel