Një person është ndaluar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pas një operacioni antidrogë të lëshuar nga policia e Tiranës, mëngjesin e ditës së dielë.
Policia e kryeqytetit ishte ajo që konfirmoi se ka ndaluar shtetasin 25-vjeçar, Alfred Allajbeu dhe se ka shpallur në kërkim dy ortakët e tij në shpërndarjen e drogës. i riu u ndalua në flagrancë në një local në rrugën “Fortuzi”, në kryeqytet, ndërsa në cilësinë e provës materiale, atij iu ndaluan edhe 600 gramë heroinë e pastër.
Sipas të dhënave të para, Allajbeu ishte pjesë e një grupi kriminal që merrej me tregëtimin e drogës në zonën përreth bulevardit Ahmet Zogu I. Detaje të mëtejshme rezervohen për momentin, pasi operacioni është ende në vazhdim.
Në javën kur Shqipëria u konsiderua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si një vend tranzit për kalimin e drogës dhe prodhues i drogërave të lehta si kanabis, forcat e rendit kanë lëshuar një seri aksionesh që kanë përfunduar me bllokimin e disa sasive të konsiderueshme të narkotikëve.
Ditën e premte, në qytetin e Durrësit, një trafikant u ndalua pas një shkëmbimi zjarri së bashku me shtatë kilogramë heroinë.
Më parë gjatë javës, autoritetet italiane ndaluan një motoskaf të fuqishëm që transportonte 1,7 tonë marijuanë nga Shqipëria për në vendin fqinj. Të pesë shtetasit shqiptar që ndodheshin në brendësi të mjetit u prangosën nga policia.
Top Channel