Misioni i vështirë i Anan në Siri

11/03/2012 20:00

I dërguari i Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, Kofi Anan do të zhvillojë një raund të dytë bisedimesh me Presidentin sirian, Bashar Al Asad. Anan po përpiqet të bindë autoritetet siriane, për arritjen e armëpushimit dhe hapjen e shtigjeve për agjensitë humanitare.

Duke iu referuar ditës së parë të takimit, gjatë të cilit presidenti sirian nuk pranoi dialog dhe akuzoi grupet terroriste për gjakderdhjen në vend, misioni i ish-shefit të OKB-së ende nuk ka shënuar progres.

Televizioni shtetëror sirian raportoi se raundi i parë i bisedimeve u zhvillua në një atmosferë pozitive. Asad raportohet të ketë thënë se: “Siria është e gatshme të shënojë sukses për cdo perpjekje të ndershme për të gjetur një zgjidhje për ngjarjet që po kalon. Asnjë dialog apo aktivitetet politik nuk mund të shënojë sukses, kur  ka grupe të armatosura që veprojnë dhe përhapin kaos dhe mungesë stabiliteti në Siri”.

Mosmarrëveshjet Ndërkombëtare kanë paralizuar veprimet kundër Sirisë. Rusia dhe Kina kundërshtuan thirrjet perëndimore dhe ato arabe për largimin nga pushteti të Bashar Al Asad-it.

Shtetet e Bashkuara kanë hartuar një rezolutë të re, të cilën do t’ia paraqesë Këshillit të Sigurimit, por Departamenti i Shtetit nuk u shpreh optimist për miratimin e saj. Megjithëse Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkon zgjidhje gjithëpërfshirëse, udhëheqësit e opozitës siriane kundërshtojnë bisedimet, ndërsa Asad është ende në pushtet.

Predha mbi Homs

Një video amatore e trasmetuar edhe nga agjensia e lajmeve Reuters tregon goditjet me predha në qytetin e Homsit. Shpërthime të fuqimshe dhe ndërtesa në flakë shihen në lagjen Al-Nazehiin.

Video të tjera, të marra nga rrjetet sociale, tregojnë qindra persona të grumbulluar në rrugët e Deraas, me sllogane në mbështetje të protestuesve në Homs, Idlib dhe Hama.

Reuters nuk mund të verifikojë në mënyrë të pavarur përmbajtjen e tyre. Të shtunën, të paktën 63 persona humben jetën në Idlib, ku po zhvillohet një betejë tjetër mes Ushtrisë së Lirë Siriane dhe forcave pro-qeveritare.

Kombet e Bashkuara thonë se mbi 7500 persona humbën jetën, prej nisjes së protestave, një vit më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA