Të dhënat më dramatike në tre dekadat e fundit ka publikuar për papunësine në Greqi Instituti Kombëtar i Statistikave.
Numri i të papunëve ka arritur në 21% në dhjetorin e 2011. Janë gjithsej 1.033.000 persona, ose e thënë ndryshe aq sa popullsia e qytetit të Selanikut, pa rrethinat e tij.
“Këto përqindje tashmë janë rrënqethëse. Gjendja ka ikur nga kontrolli. Le të urojmë të shkojnë gjërat më mirë se përndryshe do të ketë shpërthim social”, shprehet një tregtar.
Për herë të parë në Greqinë e 11 milionë banorëve, numri i atyre që punojnë ka shkuar në 3.880.000, përkundrejt 4.424.000 personave që nuk janë në marrëdhënie pune. Sipas raportit të statistikave, brenda dy vitesh papunësia është rritur me 50%. 230.000 vetë kanë humbur punën në vitin 2010, viti i parë i thellimit të krizës në Greqi dhe 300.000 të tjerë në vitin e kaluar, ose gati 1000 vetë çdo ditë pune.
“Ndikon në jetën e të gjithëve sepse kur fqinji yt, shoku yt apo një i njohur ka probleme mbijetese, nuk është aspak mirë për të gjithë”, thekson një mjek.
Duke pasur parasysh faktin se ekonomia greke ndodhet në recension për të pestin vit rresht dhe tkurrja e saj do të vazhdojë edhe përgjatë 2012, vlerësohet se deri në mesin e vitit të ardhshëm papunësia do të shkojë në Greqi në mbi 25%, ose e thënë ndryshe 1.5 milionë vetë do të jenë në rrugë.
“Do të ketë më shumë rënie ekonomike kështu që edhe papunësia do të rritet. Nuk shoh rikuperim, nuk shoh zhvillim dhe kjo është për të ardhur keq, është melankolike”, thotë një biznesmen.
Papunësia ka prekur shumë edhe emigrantët e huaj. Publikimet e shtypit vendas shprehin një tendencë të madhe në radhët e tyre për tu larguar nga Greqia.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se rreth 15% e 500.000 emigrantëve shqiptarë të regjistruar si të ligjshëm në vitet e fundit kanë braktisur tashmë Greqinë, pasi kanë humbur punën dhe nuk kanë pasur mundësi të gjejnë një alternativë tjetër.
Top Channel