Zgjedhjet presidenciale ka pak gjasa që të mbahen këtë vit, ashtu siç është paraparë në marrëveshjen politike ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Behgjet Pacollit.

Siç ka deklaruar kryetari i Komisionit Parlamentar për Ndryshimet Kushtetuese, Arsim Bajrami, për mediat në Prishtinë, se ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nuk pritet të shkojnë në Kuvend para muajit qershor. Kjo pamundëson që shefi i ri i shtetit të zgjidhet këtë vit, pasi zgjedhjet duhet të mbahen 6 muaj pas miratimit të ndryshimeve.

Partitë politike kryesore nuk deklarojnë prerazi nëse zgjedhjet presidenciale do të mbahen gjatë 2012-ës, apo do të shtyhen. Në partinë e kryeministrit Hashim Thaçi, deklarojnë se janë skeptik që mund të krijohen kushtet për zgjedhje brenda këtij viti.

“Ne kemi pasur një qëndrim shumë të qartë e repsektojmë marrëveshjen që është nënshkruar me partnerët tanë dhe nuk jemi insistues”, tha Adem Grabovci, Shef i grupit parlamentar, PDK.

Ndryshe nga PDK, në AKR-në e Behgjet Pacollit, që është në bashkëqeverisje me PDK-në, deklarohen se marrëveshja për zgjedhje presidenciale më 2012 duhet të respektohet. Nga ana tjetër, Ismet Beqiri nga LDK ka thënë se kjo varet nga dinamika e punës së komisionit për ndryshime kushtetuese.

“Ne do besojmë që nuk do të ketë shtyrje, por kjo varet nga efiaksiteti që ka të bëjë me amendamentimin e kushtetutës te ajo pjesë që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit”, tha Ismet Beqiri, Shef i grupit parlamentar, LDK.
 
Në Vetëvendosje që nuk kanë qenë pjesë e marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli, e shohin të rëndësishme mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, kurse kundërshtojnë idenë që presidenti të zgjidhet nga populli. E në AAK-në e Ramush Haradinajt, dyshojnë se proceset janë duke u zgjatur dhe nuk po respektohen afatet.

Tre liderët politik Thaçi-Mustafa-Pacolli, në prill të vitit të kaluar u patën pajtuar që zgjedhjet duhej të shpalleshin më së paku gjashtë muaj pas ndryshimeve kushtetuese, të cilat do të duhej të përfundonin dhe aprovoheshin shumë më parë se qershori i këtij viti.

Top Channel