Strauss Kahn kontestohet në Kembrixh

10/03/2012 00:00

Dy persona janë arrestuar në Kembrixh të Britanisë, pasi protestuan
kundër një fjalimi të ish-shefit të Fondit Monetar Ndërkombëtar,
Dominique Strauss Kahn.

Kahn mbërriti me vërshëllima dhe tallje në Unionin Shoqëror të Kembrixhit ditën e premte dhe protestuesit u përleshën me policinë.

Vizita u kundërshtua nga një grup studentor për faktin se Kahn është përballur me akuza për dhunë seksuale, të cilat gjithësesi janë rrëzuar.

Ish-kreu i FMN-së ishte ftuar në Unionin Shoqëror vitin e kaluar, para se të ngriheshin dyshimet për agresion seksual ndaj një kamariereje në një hotel të Nju Jorkut.

Ngjarja në fjalë çoi në dorëheqjen e tij nga posti i shefit të Fondit, por akuzat ndaj tij ranë në muajin gusht dhe po ashtu edhe disa të tjera të bëra më vonë nga një gazetare në Paris.

Gjithësesi, Unioni Studentor i Universitetit të Kembrixhit deklaroi se akuzat për agresion seksual duhet ta kishin shtyrë shoqatën që të mendohej se kujt duhet t’ia bënte ftesën.

Zoti Strauss Kahn u shoqërua për në hyrjen e pasme të sallës ku do të bëhej takimi, mes klithmave “të të vijë turp nga vetja”, të bëra nga një protestues.

Trazirat shpërthyen kur Kahn dha një fjalim privat për ekonominë para qindra studentëve të Universitetit të Kembrixhit.

Top Channel