Papa: Jo martesës mes homoseksualëve

10/03/2012 09:25

Papa Benedikti XVI ka denoncuar martesat mes personave të të njëjtit seks në një fjalim para peshkopëve amerikanë që po vizitonin Vatikanin.

Papa paralajmëroi për fuqi politike dhe rryma kulturore që po përpiqen të alternojnë përkufizimin ligjor të martesës.

Ai gjithashtu u bëri thirrje peshkopëve që në kishat e tyre të theksojnë se seksi paramartesor dhe bashkëjetesa janë “mëkate të rënda” që dëmtojnë stabilitetin e shoqërisë.

Komentet e Papës erdhën pak kohë pasi shtetet e Uashingtonit dhe Merilendit legalizuan martesat mes personave të të njëjtit seks.

Por të paktën pesë shtete amerikane kanë programuar proçese zgjedhore për të shfuqizuar ligjet për martesat mes homoseksualëve.

“Ndryshimet seksuale nuk mund të trajtohen si diçka e parëndësishme në përkufizimin e martesës”, u shpreh ati i shenjtë.

Gjatë fjalimit, ai u shpreh i vetëdijshëm se këndvështrimi i tij mund t’u duket si “antikulturor” shumë njerëzve, në veçanti të rinjve.

Por Papa theksoi se peshkopët duhet të bëjnë ç’është e mundur që martesa tradicionale të mbrohet nga çdo keqinterpretim i natyrës së saj të vërtetë.

Top Channel