Jemen, sulm ajror ndaj Al Kaedës

10/03/2012 08:55

Të paktën 10 militantë të Al Kaedës, përfshirë disa liderë, janë vrarë në një sulm ajror në jug të Jemenit, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Anëtarët e organizatës terroriste janë goditur në afërsi të qytetit të Bajdës, rreth 130 kilometra në jug të kryeqytetit Sana, vonë gjatë së premtes.

Policia dhe forcat e sigurisë deklaruan për agjencinë e lajmeve “AFP” se sulmi ka vrarë gjithësej 23 persona. Autoritetet deklaruan se sulmet janë kryer nga avionë luftarakë jemenas, ndonëse disa banorë thonë se ata ishin amerikanë.

Amerikanët dihet që kanë përdorur avionë të telekomanduar për të kryer sulme ajrore në Jemen, të cilat më pas ato janë marrë përsipër nga zyrtarët vendas.

Militantët, që dyshoheshin për lidhje me Al Kaedën, kishin shfrytëzuar vakumin e forcave të sigurisë në rajon, pas muajsh të tëra protestash anti-qeveritare.

Më 21 shkurt në Jemen u mbajtën zgjedhjet presidenciale, nga të cilat doli fitues Abd Rabbu Mansour Hadi, i cili ishte edhe kandidati i vetëm.

Zgjedhja e Hadi, i cili u betua katër ditë më vonë, ishte pjesë e një marrëveshjeje të mbështetur nga SHBA dhe të negociuar nga vendet e Gjirit.

Mansour Hadi zëvendëson kështu Ali Abdullah Saleh, i cili doli nga skena si pasojë e revoltave popullore që përfshinë vendin, të pagëzuara me emrin Pranvera Arabe.

Vetë Saleh, që pa t’i përfundonte pushteti pas 33 vjetësh në krye të vendit, u kthye muajin e kaluar në shtëpinë e tij në Sana pasi u mjekua në Shtetet e Bashkuara.

69 vjeçari kishte mbërritur në Amerikë në janar për të marrë mjekim për plagët e marra gjatë një atentati të vitit të kaluar ndaj pallatit presidencial.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA