Jorgo Papandreu dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të socialistëve grekë, PASOK, duke i hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të reja brenda partisë për zgjedhjen e liderit të saj të ri.

“Mendoj që për mua ka ardhur moment të vazhdoj betejën time në një post tjetër”, deklaroi ish-kryetari PASOK-ut, Papandreu që në muajin nëntor të vitit të kaluar dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit, hap ky që mundësoi krijimin e qeverisë së teknokratëve të udhëhequr nga Lukas Papadhimos pas një marrëveshje të arritur mes udhëheqësve të partive kryesore grek.

Pas kësaj dorëheqje, PASOK do të mbajë zgjedhjet për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe ristrukturimit të partisë në kohë për t’u përballur me zgjedhjet e muajit prill.

Grekët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e re në një kohë kur sondazhet flasin për një mbështetje minimale ndaj PASOK dhe Demokracisë së Re. Nga këto zgjedhje, pritet të përfitojnë vetëm forcat ekstremiste, të djathta e të majta që mund të rrisin peshën e tyre në elektorat.

Top Channel