
Presidenti sirian Bashar al Assad ka deklaruar gjatë takimit me të
dërguarin e OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan, se nuk mund të ketë
dialog kur në vend veprojnë “grupe terroriste të armatosura”.
“Siria mbështet çdo përpjekje të sinqertë për të gjetur një zgjidhje, por nuk mund të ketë dialog përderisa grupe terroriste të armatosura përhapin kaos dhe destabilizojnë vendin”, ka deklaruar Assad.
Nga ana e tij, Annan ka prezantuar qëllimin e vizitës së tij, që është thirrja për një armëpushim të menjëhershëm mes ushtrisë dhe opozitës.
Teksa ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së mbërrinte, raportohej për bombardime të reja ushtarake në qytetin veri-perëndimor të Idlibit.
Takimi mes zotit Annan dhe presidentit Assad zgjati për më shumë se dy orë, para se Annan të takonte ministrin e Jashtëm Ëalid al Moallem. Televizioni publik sirian raporton se takimet u mbajtën në një atmosferë pozitive.
Ndërkohë, paralelisht me vizitën e Annan, në Kajro po mbahej një takim mes ministrave të Jashtëm të vendeve të Ligës Arabe dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Zoti Lavrov u shpreh kundër “ndërhyrjes së hapur” në çështjet e brendshme të Sirisë dhe theksoi se Rusia nuk po mbron asnjë regjim, por ligjet ndërkombëtare.
Ndërsa ministri i Jashtëm saudit, Saud al Faisal deklaroi se vetoja ruso-kineze ndaj rezolutës së OKB-së ka ndëshkuar Sirinë, duke lejuar vazhdimin e “brutalitetit”.
Më herët, shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Valerie Amos deklaroi se një “progres i kufizuar” ishte bërë për të ndihmuar personat e plagosur dhe se shumë më tepër duhej bërë.
Thirrjet për reforma që nisën me protestat pro-demokracisë një vit më parë kanë degjeneruar në akte dhune që e kanë çuar Sirinë drejt luftës civile. Kombet e Bashkuara deklarojnë se mbi 7.500 persona kanë vdekur si pasojë e dhunës.
31 viktima në veri të vendit
Burime nga opozita siriane vazhdojnë të njoftojnë për masakra në veri të Sirisë, aty ku janë zhvendosur luftimet mes forcave të presidentit Bashar al Assad dhe rebelëve të armatosur.
Sipas Komiteteve Lokalë të Koordinimit, organizma të ngritura nga opozita siriane për koordinimin e veprimeve luftarake dhe manifestuese kundër presidentit Assad, 16 ushtarë të saj, gjetën vdekjen në një pritë të ngritur nga forcat qeveritare.
Rebelët ranë në kurthin e forcave besnike të Assad në në qytetin verior të Jisr al Shoghour, pranë kufirit me Turqinë. 16 rebelët, ish-ushtarakë që kishin dezertuar, u vranë në luftime, ndërkohë që 5 të tjerë u pushkatuan nga togat e ushtrisë qeveritare pas zënies rob.
Po të njëjtat burime raportojnë për 10 civilë të vrarë në disa qytete të tjera në veri të Sirisë, ndërsa media shtetërore në Damask u mjaftua me lajmin se forcat qeveritare po përparonin në “luftën kundër terroristëve” në veri të vendit, pas përcaktuar numrin e viktimave.
Numri i saktë i viktimave është vështirë të përcaktohet pasi nga terreni burimet informative të paanëshme mungojnë, për shkak të mungesës së sigurisë.
Top Channel