“2012 Orë Kundër Urrejtjes”

10/03/2012 00:00

“Angazhohu për të ndaluar urrejtjen. Bëni diçka për dikë që nuk ngjan me ju, që nuk lutet si ju, apo nuk jeton si ju”. Kjo është motoja e nismës “2012 Orë Kundra Urrejtjes”, e cila udhëhiqet nga e dërguara Speciale e SHBA për Luftën kundër Anti-Semitizmit Hannah Rosenthal dhe përfaqësuesja Speciale e SHBA pranë Komuniteteve Muslimane, Farah Pandith.

Ato ndodhen në  Tiranë  për të nxitur përfshirjen e rinisë shqiptare në nismën “2012 Orë Kundër Urrejtjes”. Në një intervistë ekskluzive për Top-Channel, të dërguarat e SHBA flasin rreth kësaj nisme, përse e përfshinë Shqipërinë në vendet që ato janë duke vizituar, takimet me zyrtarët e lartë shqiptarë përfshi edhe për botimin në shqip të librit “Mein Kampf”.

Top Channel: Së pari, mirësevini në Top Channel. Është kënaqësi e madhe për mua t’ju intervistoj dhe faleminderit për këtë mundësi. Hannah, dëshiroj të filloj me ju. Pse e përfshitë Shqipërinë në nismën “2012 Orë Kundër Urrejtjes,” duke pasur parasysh që vendi ynë nuk ka pasur kurrë probleme, le të themi, mes feve?

Hannah Rosenthal:
Sepse Shqipëria nuk ka pasur kurrë probleme. Nuk ka shumë vende për t’u treguar në botë që janë shembuj kaq të mëdhenj ndaj, kur e përfshimë Shqipërinë në fushatën “2012 Orë Kundër Urrejtjes,” e bëmë për të thënë se ky është një vend ku kjo ka funksionuar; që ka një histori të mrekullueshme për të treguar dhe sinqerisht, gjatë udhëtimeve tona, kur kemi folur për këtë, njerëzit janë të habitur kur dëgjojnë historinë e Shqipërisë. Pra, flasim për Shqipërinë për dy arsye: për ta ngritur lart si shembull dhe për të qenë ambasadorët tuaj jozyrtarë.

Top Channel: Ju faleminderit. Po vazhdoj me ju, Farah. Çfarë keni gjetur në takimet tuaja? Jeni takuar me politikanë, studentë, udhëheqës fetarë? Mund të më tregoni se çfarë keni gjetur në këto takime?

Farah Pandith: Së pari, ishte një kënaqësi e madhe për të dyja ne që të vinim në Shqipëri dhe të dëgjonim një mesazh konseguent kudo, si kur flasim me të rinj, si kur flasim me politikanë, si kur flasim me njerëz që iu përkasin besimeve të ndryshme fetare. Mesazhi është i qartë: shqiptarët janë shqiptarë. Nuk ka rëndësi kujt feje i përkisni. E dyta që kemi dëgjuar kudo ku kemi shkuar ka qenë se sa krenarë janë të gjithë për kulturën e dinjitetit për të gjithë, për respektin e ndërsjellë, si dhe promovimin e një vlere kaq të veçantë që keni këtu në Shqipëri.

Top Channel:
Hannah, çfarë mesazhi do merrni me vete për t’ia përcjellë Hillary Clinton dhe Presidentit Obama?

Hannah Rosenthal:  Mendoj që mesazhi themelor për Shqipërinë është ‘besa.’ Im atë është dikush që i mbijetoi Holokaustit dhe historia se si Shqipëria shpëtoi secilin prej hebrejve këtu gjatë Luftës së Dytë Botërore është një histori që unë e adhuroj personalisht dhe profesionalisht. Më pëlqen pa masë ta tregoj këtë histori dhe do t’i kujtoj Presidentit dhe Hilari Klintonit, Sekretares sonë të Shtetit, se pse është aq themelore për karakterin e Shqipërisë. Kur flasim për këtë, njerëzit thonë, epo, sigurisht, s’është ndonjë gjë e madhe. Në fakt, është një gjë shumë e madhe. Vendi juaj është i vetmi në botë ku ndodhi kjo.

Top Channel: Farah, a e dinë amerikanët e tjerë historinë se çfarë bëri Shqipëria gjatë Holokaustit, pikërisht atë që Hannah e përshkroi më parë?

Farah Pandith: Kur e filluam këtë fushatë, një prej gjërave për të cilat u menduam gjatë ishte mënyra për të treguar historinë e atyre njerëzve që bënë gjënë e duhur. Nëse hyni në facebook.com/2012hoursagainsthate do shikoni video ku njerëz të ndryshëm flasin për fushatën. Në një nga këto video është Hannah dhe unë duke folur se pse është e rëndësishme, pse i kërkojmë cilitdo që të dhurojë një orë a më shumë nga koha e vet për një person që nuk jeton si ty, nuk lutet si ty, apo nuk duket si ty. Kur tregojmë historinë se pse e nisëm këtë fushatë, flasim për Shqipërinë dhe pikërisht për atë që sapo përshkroi Hannah, për atë që ndodhi gjatë holokaustit, flasim për Mbretin Zog, për ethosin e Shqipërisë. Amerikanët nuk e njohin këtë histori. Sigurisht nuk e njohin në vendet që kemi vizituar, qoftë Liban, Turqi, Azerbaixhan, apo Spanjë. Ndaj mendoj është me rëndësi  që të gjithë ne të flasim sa më shumë që mundet për ata që bënë gjënë e duhur dhe Shqipëria është patjetër një shembull i shkëlqyer dhe i ndritshëm i kësaj.

Top Channel: Kalojmë në një temë tjetër. Botimi i “Mein Kampf” në Shqipëri ka qenë një temë e nxehtë gjatë kësaj jave në shtypin shqiptar. Edhe sot është lajm kryesor në gazeta. Dua t’ju pyes, Hannah, a mendoni se një botim i tillë është i mirë apo i keq për lexuesit shqiptarë?

Hannah Rosenthal: Për “Mein Kampf” e kam të pamundur të them ndonjë gjë pozitive. Është historia që rrëfeu Hitleri, që e solli në pushtet dhe e dimë ç’ndodhi më pas. Por, besoj që njerëzit duhet të kenë mundësinë të lexojnë e të thonë gjithçka duan, qoftë ky një besim personal i tyre apo jo, diçka e urryeshme, apo edhe e pamençur. Mendoj që njerëzit kanë të drejtën ta bëjnë këtë. Por, besoj që më e rëndësishme se çdo gjë tjetër është që kur mbrojmë lirinë e shprehjes, të ngremë zërin për shprehjen e keqe. Kështu, në mendimin tim, “Mein Kampf” është shprehje e keqe dhe çfarëdo glorifikimi i Adolf Hitlerit është gjë e keqe. Gjatë udhëtimeve të mia përballem edhe me njerëz që e mohojnë madje edhe që holokausti ka ndodhur ndonjëherë. Kështu, nuk e honeps dot kur shoh të rritet vëmendja për Adolf Hitlerin, i cili për këdo që e njeh historinë ishte një prej kapitujve më të errët të njerëzimit. Prandaj më trazon fakti që dikush mund të mendojë se në Shqipëri ka treg për këtë; gjithsesi, mendoj që mënyra për t’iu përgjigjur është të dënohet. Mendoj që duhet të pyesni udhëheqësit fetarë, udhëheqësit politikë, udhëheqësit e biznesit, sindikatat, cilindo, shoqërinë civile, se çfarë mendojnë dhe kushdo duhet të thotë se është një gjë e tmerrshme që dikush mund të dojë të botojë një libër, të përpiqet të fitojë para duke shfrytëzuar gjërat e urryera që kish nxjerrë nga goja Adolf Hitleri.

Top Channel: Do doja ta mbyllja këtë intervistë me një pyetje për ju, Farah. A është e drejtë të thuhet që në SHBA urrejtja për muslimanët është rritur dhe ku mund t’i gjejmë rrënjët e kësaj urrejtjeje?

Farah Pandith: Kur mendon për dhjetë vitet e fundit në botë, është një moment kur të gjithë kemi pasur një reagim të ndjerë. Vendi ynë u sulmua. Le të kujtojmë që Al-Kaeda dhe simotrat e saj kanë sulmuar komunitete anekënd botës, si kur flasim për Jordaninë, Arabinë Saudite, ashtu edhe kur flasim për Indonezinë apo pjesë të tjera të botës. Al-Kaeda ka vrarë si muslimanë edhe jomuslimanë; në fakt, Al-Kaeda dhe simotrat e saj kanë vrarë më shumë muslimanë se sa jomuslimanë. Ajo që ka ndodhur në kontekstin e dhjetë viteve të fundit është se ka pasur shumë keqkuptime globale lidhur me organizatat terroriste si Al-Kaeda dhe simotrat e saj nga një anë dhe fesë islame nga ana tjetër. Kështu, gjatë dhjetë viteve të fundit në vendin tonë, kemi pasur patjetër disa çaste shumë sfiduese. Por do të thoja që Presidenti i SHBA ka thënë shumë qartë që e respekton fenë islame, që muslimanët janë pjesë e stofit të shoqërisë amerikane. E dinë të gjithë që feja islame ka ardhur në Amerikë në kohën e skllevërve, çka do të thotë që ka qenë pjesë e kombit tonë gjatë gjithë historisë së tij. Dimë po ashtu që presidentët nga koha e baballarëve që themeluan kombin e deri tek të sotmit kanë folur për fenë islame dhe muslimanët dhe kanë folur për parimet që gjenden në kushtetutën tonë, që do të thotë që liria e fesë, respekti për cilindo, si dhe aftësia për të ushtruar lirisht fenë janë përbërës qendrorë të asaj çka jemi. Në fakt, muslimanët amerikanë kanë përjetuar ndryshime të mëdha në klimën në SHBA, për shumë arsye të ndryshme, qofshin politike apo keqkuptime, por kemi parë edhe përgjigjen. Jo vetëm atë të muslimanëve por edhe të amerikanëve të tjerë që janë shprehur: t’u kthehemi parimeve themeluese të kombit dhe të ngremë zërin për atë që besojmë. Kështu, shohim muslimanë, hebrej, të krishterë dhe të tjerë që qëndrojnë krah për krah për të zmbrapsur diskriminimin, për të zmbrapsur gjuhën e urrejtjes. Kemi parë edhe Departamentin e Drejtësisë dhe qeverinë tonë që kanë ngritur zërin me guxim dhe kanë dënuar të gjitha format e diskriminimit kur vjen fjala, sidomos dhjetë vitet e fundit, kundrejt çështjes muslimane që ngritët ju. Unë jam amerikane dhe jam muslimane dhe e di që mes këtyre dy veçorive nuk ka asnjë kontradiktë. Di edhe që në Amerikë, mund ta ushtrosh fenë islame më lirisht se në çdo vend tjetër të botës. Ndaj, duke parë përpara dhe jo prapa në dhjetë vitet e fundit, vendi ynë ka kaluar disa sfida por kemi parë edhe ndryshime të jashtëzakonshme për sa i përket bashkëpunimeve, ndërtimit të koalicioneve dhe respektimit të kushtetutës sonë, e cila garanton aftësinë që të gjithë ne të jetojmë krah për krah si të barabartë.

Top Channel: Hannah, Farah, faleminderit shumë për kohën tuaj.

Farah Pandith: Faleminderit shumë.

Hannah Rosenthal:
Faleminderit juve për intervistën.

Top Channel, Muhamed Veliu

Top Channel

DIGITALB DIGITALB