Spanja është superfavoritja për një titull të dytë radhazi në Euro 2012 dhe këtë nuk e thonë vetëm kompanitë e basteve, por vetë trajnerët që do të jenë të përfshirë në ngjarjen më të madhe të futbollit kontinental.
”Spanja është favoritja e madhe. Nëse lojtarë si Xavi, Iniesta, Silva, Ramos, Casillas dhe të tjerët do të jenë në nivelin e tyre më të madhe, atëherë janë pothuajse të pathyeshëm. Vetëm kombinimi i një dite të keqe për ta dhe një ditë me super fat për kundërshtarët, mund të sjellë eliminim e tyre”, deklaroi njeriu që riktheu Irlandën në Europianin e Polonisë dhe Ukrainës pas shumë kohësh, Giovanni Trapattoni.
Morten Olsen, trajner i Danimarkës dhe futbollist kur kombëtarja e tij sfidoi Spanjën në Botërorin e vitit 1986, kujtoi: “Atëherë, Spanja kishte futbollistë me shumë talent, si Butragueno, i cili na shkatërroi në ndeshjen direkte, por gjithsesi, midis të fortave, Spanja nuk ishte një short i keq. Në ato vit, një short i keq ishte të luaje me Brazilin apoi Italinë, sa për të dhënë një shembull. Sot, të gjithë kombëtaret kanë 1-2 lojtarë mbi nivelin e të tjerëve, ndërsa Spanja ka 15”.
I impresionuar nga fuqia e iberikëve është edhe trajneri i Kroacisë, Slaven Bilic, që do të ketë “fatkeqësinë” të përballet me “të kuqen” në grup, ashtu si Irlanda dhe Italia. “Jam optimist rreth shanseve të kombëtares sime, vetëm se stresohem kur shoh ndeshje perfekte si ajo që bëri Spanja ndaj Venezuelës. Nëse do të luajnë ashtu edhe në Europian, nuk ka se kush t’i ndalojë”.
Së fundmi, në deklaratat e publikuara nga e përditshmja sportive spanjolle “AS”, edhe holandezi Advocaat shprehu vlerësim për punën e Del Bosques. “Spanja ka një brez të papërsëritshëm, por mjeshtëria që po tregon trajneri i tyre në administrimin e këtyre talenteve është shumë e rrallë. Spanja do të jetë favorite absolute në Europian, madje edhe në Botërorin e Brazilit”.
Top Channel