Serbi, akuza të reja ndaj “Beretave të Kuqe”

09/03/2012 19:05

Prokuroria serbe ka ngritur akuzë ndaj 8 ish-paraushtarakëve, për organizimin e një rebelimi me qëllim dobësimin e pozitës së kryeministrit Zoran Gjingjiç në vitin 2001 dhe më pas vrasjen e tij dy vjet më vonë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat serbe, sipas të cilave mes 8 ish-anëtarëve të grupit të Beretave të Kuqe janë edhe personat që kanë kryer atentatin e 9 viteve më parë dhe që tani po vuajnë dënimin 40-vjeçar.

Sipas burimeve, personat në fjalë akuzohen se në nëntor të vitit 2001, me automjetet e tyre ushtarake bllokuan rrugët kryesore të Beogradit duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm.

Situata u përkeqësua dhe detyroi shefin e atëhershëm të shërbimeve sekrete dhe zëvendësin e tij që të jepnin dorëheqjen.

Mes anëtarëve të grupit janë edhe Milorad Ulemek Legija, Zvezdan Jovanoviç dhe Dushko Mariçiç, që aktualisht janë duke vuajtur dënimin për ekzekutimin e ish-kryeministrit, ndërsa pesë të tjerët u arrestuan në shtator të vitit të kaluar.

Njësia Beretat e Kuqe u krijua në kohën e Millosheviçit dhe kreu spastrimet etnike në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Ajo u shpërbë pas vrasjes së Gjingjiç, por pjesëtarë të saj dhe të grupeve të tjera paraushtarake serbe u kthyen në organizata kriminale.

Top Channel