Opozita në Kosovë i kërkon qeverisë që të shfrytëzoje autoritetin e saj që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në territorin e Kosovës, ashtu siç po paralajmërojnë zyrtarët serbë.

Për LDK-në mbajtja e zgjedhjeve do të ishte agresion ndaj territorit të Kosovës, ndërsa, në Vetëvendosje kanë kërkuar që qeveria të dërgojë policinë për të arrestuar organizatorët, e në AAK vlerësojnë se duhet që të kërkojnë nga ndërkombëtarët të bëjnë presion ndaj Serbisë.

Arben Gashi, deputet LDK: Është detyrë kushtetuese dhe ligjore që të shtrihet autoriteti në gjithë territorin, ky konsideroeht si agresion brenda territorit.

Visar Ymeri, Kryetar i Grupit Parlamentar të Vetëvendosje: Zgjedhjet parandalohen duke dërguar policinë, duke bllokuar godinat ku do të mbahen zgjedhjet dhe duke arrestuar organizatorët e zgjedhjeve.

Ahmet Iusufi, Nënkryetar i AAK-së: Institucionet dhe autoritetet vendas në koordinim me ato ndërkombëtare duhet të ndalojnë mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Ndërsa, në Partinë Demokratike të Kosovës, që përbën shumicën në parlament, deklarojnë se Serbia nuk ka të drejtë të mbajë zgjedhje në Kosovë, sidomos pas marrëveshjes së fundit që Kosova të përfaqësohet me një fusnotë ku përmendet edhe rezoluta 12 44 e KS të OKB-së.

“Kur kemi parasysh deklaratën e fundit të SHBA janë të mjaftueshme që janë kundër dhe vlerësojnë se është cënim i integritetit tonë territorial”, thotë Adem Grabovci, kreu i grupit parlamentar të PDK-së.

Edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë shprehur kundër idesë së mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në veri.

Top Channel