Netanyahu: Iranin nuk do ta presim gjatë

09/03/2012 21:20

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se nuk do të presë gjatë për kryerjen e një sulmi ndaj impianteve bërthamore iraniane.

Ai deklaroi për televizionin izraelit Channel 2 se nuk kishte një sahat, por shtoi se: “Kjo nuk është çështje ditësh apo javësh, por nuk është as çështje vitesh”.

Kryeministri tha gjithashtu se kërcënimi i armëve bërthamore iraniane është diçka që duhet asgjesuar.

“Shpresoj se presioni mbi Iranin do të funksionojë dhe që në mënyrë paqësore në ta bindim që të anulojë programin e tij bërthamor”, deklaroi Netanyahu.

Netanyahu, i sapokthyer nga një vizitë në Shtetet e Bashkuara, ku Barack Obama tha se kishte ende kohë për diplomaci, nënvizoi se e kupton qëndrimin e presidentit amerikan.

“Shtetet e Bashkuara janë një vend i madh dhe i largët, ndërsa Izraeli është i vogël dhe pranë Iranit dhe për rrjedhojë ne kemi vlerësime të ndryshme”, theksoi Netanyahu.

“Prandaj, ora amerikane për parandalimin e kthimit të Iranit në një fuqi bërthamore nuk është e njëjtë me atë të Izraelit. Ora e Izraelit funksionon, natyrisht, por me një orar tjetër”, shtoi ai.

Irani insiston se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, por shumë vende perëndimore dhe Izraeli druhen se po prodhon armë atomike.

Fuqitë kryesore botërore u takuan këtë javë në Vjenë dhe i bënë thirrje Iranit që t’i kthehet seriozisht dialogut mbi programin e tij, pa vendosur parakushte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA