Itali, atentat për hakmarrje, kapen 3 shqiptarë

09/03/2012 17:30

Policia italiane ka arrestuar sot shtatë persona, mes të cilëve tre shtetas shqiptarë, për planifikimin dhe tentativën e vrasjes së një shqiptari, me qëllim hakmarrjen.

Vrasja ishte porositur nga dy shqiptarë, motër e vëlla, të cilët e konsideronin bashkëkombasin tjetër, Silvester Cërriku, përgjegjës për vetëvrasjen e mbesës së tyre, të cilën e kishte bashkëshorte.

Vrasja u organizua deri në detaj. Dy të afërmit rekrutuan një shqiptar me preçedentë penalë, i cili nga ana e tij kontaktoi katër italianë për ta ndihmuar për të gjetur vendndodhjen e Cërrikut dhe më pas për ta ekzekutuar.

Më 2 shtator 2011, datë që përkonte dhe me 2-vjetorin e vetëvrasjes së të resë shqiptare, e cila u hodh nga ballkoni, 31 vjeçari shqiptar u shtyp fillimisht me një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga shqiptari Ervin Xhakozi, i cili më pas zbriti nga makina dhe e qëlloi me pistoletë dy herë në kokë.

Në automjet ndodheshin edhe bashkëpunëtorët italianë, të cilët e ndihmuan Xhakozin të gjente vendndodhjen e Cërrikut, që pas vdekjes së bashkëshortes ishte transferuar në Oluks të Torinos.

Por gjërat për porositësit e vrasjes, shtetasit Leonardo Pici dhe e motra Liljana Hasa Pici, dhe të ekzekutorëve materialë, nuk shkuan sipas planeve.

Kjo, pasi Cërriku i mbijetoi për mrekulli atentatit, pavarësisht se ka marrë dëme të rënda, për shkak të të cilave ndodhet në një qendër rehabilitimi.

Ai u gjet i shtrirë në tokë nga kalimtarët, të cilët njoftuan ambulancën që e mori dhe e transportoi në spitalin e Torinos, ku mjekët i shpëtuan jetën.

Dhe tani, pas gjashtë muajsh hetime, ngjarja u zbardh nga karabinierët, të cilët kanë arrestuar shtatë personat përgjegjës për atentatin ndaj 31 vjeçarit shqiptar.

Bashkëshortja e tij u vetëvra në vitin 2009, pak kohë pasi çifti ishte bërë me një fëmijë, për kujdesin e të cilit pas vdekjes së të ëmës kishte shpërthyer një luftë e vërtetë.

Xhaxhai dhe halla e të ndjerës kishin kërkuar kujdestarinë duke i lënë të atit mundësinë që ta shihte disa herë në vende të caktuara, ndërkohë që vetë Cërriku më vonë kishte kërkuar kujdestarinë e plotë.

Kjo gjë acaroi edhe më tej Leonardo dhe Liljana Picin, 32 dhe 36 vjeç, të cilët porositën vrasjen me motiv hakmarrjen, edhe për faktin se e konsideronin 31 vjeçarin përgjegjës për depresionin që kishte kapur vajzën.

Aktualisht Cërriku ndodhet në një qendër rehabilitimi dhe për policinë ka deklaruar se nuk mban mend se çfarë ndodhi atë natë. Ndërsa vrasësit, të cilëve u ishin premtuar 50 mijë euro, në të vërtetë morën shumë më pak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA