Presidenti i Konfederatës Braziliane të Futbollit, në qendër të një skandali korrupsioni dhe i shumëkritikuar për vonesat në punime për përgatitjen e Botërorit të 2012-s, Ricardo Teixeira, është larguar me një leje mjekësore, pa specifikuar se kur do të rikthehet në detyrë.
64-vjeçari u konfirmua një javë më parë në krye të Federatës Braziliane me një votë unanime, pavarësisht presionit për t’u larguar nga detyra e tij. Teixera ka udhëhequr futbollin brazilian që prej vitit 1989.
Ndonëse ai është vendosur në qendër të disa skandaleve të korrupsionit, popullariteti i tij në vend është i madh, ndërsa konsiderohet si një “hero” për rikthimin e Botërorit në Brazil për herë të parë që prej vitit 1950. Teixera është njëkohësisht edhe president i komitetit organizator të Botërorit.
Lajmi për largimin e pacaktuar në kohë të Teixeras nga detyra e tij u publikua në faqen e Konfederatës Braziliane të Futbollit (CFB). Zëvendësi i tij, Jose Maria Marin, do ta zëvendësojë përsa kohë presidenti nuk do të jetë.
Një javë më parë, 64-vjeçari u vendos në qendër të një skandali korrupsioni, ndërsa u spekulua për dorëheqjen e tij nga detyra që mban prej 23 vitesh. Në vitin 2001, ishte Parlamenti Brazilian ai që ngriti një komision hetimor ndaj Teixeras, i akuzuar atëherë për 13 krime, midis të cilave evazion fiskal, pastrim parash, dhënie e dëshmisë së rremë përpara autoriteteve, por më pas, asnjë çështje nuk u dërgua në gjykatë.
Teixeira, i cili ka hedhur poshtë vazhdimisht çdo akuzë, dyshohet edhe se ka abuzuar me një kontratë publicitare me FIFA-n në vitet e para të mandatit, ndërsa u akuzua nga Federata Angleze e Futbollit për “sjellje të padenjë”, për mënyrën se si “shiti” votën e tij për caktimin e Botërorit të vitit 2018, i cili i shkoi Rusisë.
Top Channel