Pedofilia, shkatërrohet rrjeti ndërkombëtar

08/03/2012 00:00

Një operacion i gjerë po kryhet kundër pedofilisë online, i shtrirë në
28 vende të botës, mes të cilave Itali, Francë, Portugali, Belgjikë dhe
Shtetet e Bashkuara.

Sipas mediave ndërkombëtare, përmes operacionit në fajlë, të koduar me emrin “Nanny”, është shkatërruar një rrjet ndërkombëtar pedofilësh, të cilët duke përdorur rrjetet sociale në internet, shfrytëzonin seksualisht fëmijët.

Sipas burimeve, deri tani është 10 numri i të arrestuarve, nga Italia, Franca, Portugalia dhe Amerika, si dhe 112 ai i personave nën hetim.

Nga hetimet ka rezultuar se promotori i konsorciumit kriminal është një shtetas italian, i cili është arrestuar në qytetin e Milanos, në vendin fqinj.

Në vendet në fjalë janë kryer edhe një sërë kontrollesh, të cilat në Shtetet e Bashkuara janë shtrirë në Teksas, Kaliforni, Illinois, Uashington, Misuri, Virxhinia dhe Ohajo.

Për personat e hetuar janë ngritur akuzat për organizim me qëllim prodhimin dhe përhapjen e materialeve pedopornografike.

Hetimet nisën një vit më parë pas disa denoncimeve që ishin bërë në Itali dhe më pas u zgjeruan në rang ndërkombëtar nën drejtimin e një njësie policore të specializuar.

Autoritetet kanë bllokuar të dhënat informatike në serverat amerikanë të rrjeteve sociale, ku aderonin komunitete të mëdha pedofilësh që rekrutonin persona të rinj dhe mblidhnin materiale pedopornografike.

Top Channel