Izraelitët kundërshtojnë sulmin ndaj Iranit

08/03/2012 16:10

Izraelitët janë kundër mundësisë së një sulmi të njëanshëm të vendit të tyre ndaj Iranit.

Ky ishte përfundimi i një sondazhi të kryer nga një institut i studimeve demografike në Izrael, i quajtur “Dialog”. Sondazhet e kryera nga instituti treguan se 58% e popullsisë shprehen kundër çdo agresioni të mundshëm, nëse ai nuk do të jetë i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Programi i avancuar bërthamor i Iranit është shndërruar në një burim shqetësimi serioz për Tel Avivin Zyrtar, i cili ka pranuar më parë se është duke konsideruar mundësinë e një sulmi blic, me qëllim shkatërrimin e kapaciteteve bërthamore të Iranit.

Megjithatë, në një takim në Shtëpinë e Bardhë gjatë javës së shkuar, kryeministri Netanyahu dhe presidenti Obama duket se gjetën një mirëkuptim për sinkronizimin e çdo lëvizje ndaj Teheranit zyrtar.

Në përfundim të takimit, Obama deklaroi se i duhet lënë kohë bllokadës ekonomike që të japë frytet e saj dhe se shpreson që qeveria iraniane të ndërgjegjësohet dhe të përfshihet në bisedime të qënësishme. “Sidoqoftë, në këtë moment nuk përjashtohet asnjë mundësi”, deklaroi Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Top Channel