Francë, merret në pyetje babai i Breivik

08/03/2012 20:40

Policia franceze dhe ajo norvegjeze morrën në pyetje për 13 orë me radhë babain e Anders Behring Breivik, autorit të 77 vrasjeve në Norvegji në korrik 2011.

Jens Breivik, një diplomat i dalë në pension, jeton në jug të Francës. Kryeprokurori Christian Hatlo deklaroi se Breivik iu përgjigj pyetjeve të lidhura me fëmijërinë dhe marrëdhënien midis të dyve.

Gjyqi ndaj 32-vjeçarit, i cili motivoi sulmin e tij me bindjen ekstremiste dhe urrejtjen fetare, pritet të nisë në 16 prill. Takimi me babain e Breivik u bë me kërkesë të palës norvegjeze.

Pas divorcit të prindërve pak kohë pas lindjes së tij, autori i krimit më të rëndë në historinë moderne të Norvegjisë u rrit nga mamaja dhe motra e tij, të cilat janë marrë më parë në pyetje. Për vite me radhë, ai pati shumë pak ose aspak kontakt me babain e tij.

Ditën e mërkurë, Breivik pranoi autorisinë e 77 vrasjeve dhe 242 plagosjeve. Një komision mjekësor ka konsideruar më parë 32-vjeçarin si mendërisht të sëmurë dhe ka këshilluar që ai të dërgohet për t’u trajtuar në një klinikë psikiatrike dhe jo në burg.

Top Channel