Kosova është kryesisht një shtet tranzit për lëndët narkotike që kanë si
destinacion Evropën perëndimore, por nuk është një vend prodhues.

Kështu thuhet në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit mbi trafikun ndërkombëtar të drogës për vitin 2011, të cituar nga RTK.

“Policia nuk ka gjetur asnjë provë që tregon se në Kosovë rafinohet droga apo ka laboratore për prodhimin e saj”, thuhet në raport.

Në dokumentin e institucionit amerikan vlerësohet ndër të tjera se Kosova ka bërë progres me iniciativat në luftën kundër drogës, kryesisht duke përmirësuar koordinimin mes agjencive të përfshira.

Departamenti i Shtetit konstaton më tej se, vazhdimi i ndihmës ndërkombëtare, niveli i lartë i vëmendjes dhe një koordinim më i mirë i qeverisë kosovare do të çonte përpara objektivat e Kosovës në luftën kundër narkotikëve.

Jo vetëm Kosova, por të gjitha vendet e Ballkanit kanë problemet e tyre me kalimin e drogave të rënda drejt Evropës perëndimore.

Një nga vendet kryesore për kalimin e heroinës është Bullgaria, ndërkohë që Rumania konsiderohet si porta kryesore e rajonit për hyrjen e kokainës (porti i Kostancës).

Por nga ana tjetër, përveç Ballkanit, që shpesh herë akuzohet nga Perëndimi për çështjen e narkotikëve, janë edhe disa vende anëtare të BE-së që janë portat kryesore për hyrjen e kokainës nga Amerika Latine.

Kështu, në vend të parë janë Spanja dhe Holanda, ku kokaina zbarkon me konteinerë në portet kryesore të dy vendeve, të ndjekura nga Italia, Belgjika dhe Gjermania (porti i Bremenit).

Top Channel