BQE nuk ndryshon normën e interesit

08/03/2012 00:00

Banka Qendrore Evropiane ka mbajtur të pandryshuar normën e interesit në
kuotën 1 për qind. Banka nuk i ka ndryshuar normat që prej nëntorit,
kur bëri dhe shkurtimin e dytë rresht.

Por BQE ka furnizuar banka të ndryshme në mbarë Evropën me hua prej qindra miliardë eurosh me interesa të ulëta.

Institucioni kryesor bankar i kontinentit të vjetër shpreson se këto huaj do të ndihojnë në sheshimin e problemeve në 17 vendet e eurozonës, të cilat janë prekur nga kriza e borxhit.

Muajin e kaluar BQE u ka siguruar 530 miliardë euro me interes të ulët 800 bankave në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe 37 miliardë bankave britanike.

Kjo është hera e dytë që banka ka ofruar hua të tilla trevjeçare, pas atyre prej 489 euro në dhjetor. Presidenti i BQE-së, Mario Dragi deklaroi muajin e kaluar se tre muajt e fundit të vitit të kaluar kanë qenë shumë të dobët.

Ndonëse shtimi i likuiditeteve në Eurozonë pritet të ketë një impakt pozitiv për tregun, agjencia e specializuar “Fitch” paralajmëroi në fund të muajit të kaluar se disa banka po funksionojnë vetëm prej parave që po akordon BQE.

“Për disa banka në vështirësi serioze, program i rifinancimit mund t’u sigurojë paratë e nevojshme për të mbijetuar përkohësisht, duke rritur rrezikun e dhënies së kredive të këqija, me diferencën që këtë herë kreditorët e këqinj mund të jenë bankat dhe kjo mund të ketë rrjedhoja edhe më negative për ekonominë europiane”, paralajmëroi “Fitch”.

Top Channel