Bashkimi Evropian tha se do të reduktojë për një të tretën misionin
policor dhe të drejtësisë, duke theksuar përmirësimet në fushën e
sigurisë.

Komandanti për Operacione Civile të BE-së, Hansjoerg Haber, ka thënë se rezultatet nga Rishikimi Strategjik për EULEX-in, do të çojnë drejt një misioni ‘më të fuqishëm, më të sigurtë dhe më efikas’.

Ai i ka bërë këto komente gjatë një vizite në Kosovë, me ç’rast i është drejtuar stafit të EULEX-it dhe po ashtu ka informuar autoritetet e Kosovës për detajet e Rishikimit, i cili pritet të përfundojë së shpejti, thuhet në një komunikatë për media të EULEX-it.  

“Tashmë dihet se EULEX-i do të ketë një konfigurim përmbajtjesor. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dëshirojnë të vazhdojnë mandatin edhe për dy vjet. Do të ketë zvogëlim të numrit të stafit ndërkombëtar dhe atij vendor, veçanërisht në fushën e policisë dhe të doganës. Puna do të koncentrohet në fushën e drejtësisë, veçanërisht përmes mandatit ekzekutiv të EULEX-it. Pritet që të ketë edhe burime shtesë të cilat do të vendosen në pjesën veriore të Kosovës”, citohet të ketë thënë Haber.

Top Channel