Ushtria e hajdutëve adoleshentë

07/03/2012 00:00

Vjedhjet me autorë të miturit dhe adoleshentët po rriten me përmasa të
frikshme. Pa arsim, pa profesion dhe shpesh jashtë kontrollit prindëror,
një gjeneratë po shndërrohet në bombë sociale.

Të miturit vjedhin çdo gjë që konvertohet në para. Që nga bizhuteritë, portofolët, kapakët e pusetave dhe çdo gjë metalike, që mund të shitet për skrap. Çdo dite policia raporton arrestime të shumta në të gjithë vendin për të mitur, adoleshentë dhe të rinj që implikohen në vjedhje nga më ordineret deri tek me të sofistikuarat.

Por përballë kësaj rritjeje të krimit të vjedhjes, që po ndodhin në shkallë vendi dhe në pamundësi për t’i strehuar të tërë nëpër burgje, drejtësia ka vendosur të aplikojë në masë shërbimin e provës për adoleshentët.

“Aktualisht janë rreth 343 urdhra-ekzekutimi që mbikëqyren nga Shërbimi i Provës. 251 është numri total i personave të dënuar, të mitur, që kanë kryer vjedhjen në bashkëpunim dhe vjedhje në bashkëpunim e mbetur në tenativë”, thotë Erjon Duka, inspektor në Drejtorinë e Shërbimit të Provës.

Shefi i rendit në Policinë e Tiranës, Lorenc Shehu pohon se me problematike janë grupmoshat e reja, që vijnë nga një mjedis familjar me probleme sociale.

“Vijnë nga mjedise të ndryshme shoqërore, por më të evidentuar janë të miturit me probleme sociale familjare, me prindër të divorcuar apo që nuk frekuentojnë shkollën. Në fushën e vjedhjeve janë organizuar shërbime kryesisht në vende si zonën e tregjeve apo në zona publike të ndryshme”, thotë Shehu.

Per eksperten e psikologjisë ligjore dhe gjyqësore, Arjana Muçaj, ky fenomen është në rritje për shkaqe nga më të ndryshmet.

“E gjitha kjo është një rrjedhojë e një politike sociale të ndjekur, që nuk ka hapësira për këta të rinj që të marrin një kulturë, të kenë mundësi të angazhohen në vende të tjera. Kjo shoqëri duhet të punojë me këta adoleshentë dhe më vonë këta të rinj t’i gjejmë pjesë të shoqërisë tonë të denjë. Unë do të thoja që këto probleme sociale në rradhë të parë vijnë si pasojë e varfërisë. Ky është elementi kyç që shoqëria jonë po përjeton ditët e sotshme. Kam parasysh familje, të cilat nuk arrijnë të sigurojnë dot bukën e gojës dhe fëmija merr barrën përsipër të bëhet ai zoti i shtëpisë për të siguruar të ardhura”, thotë Mucaj.

Te paarsimuar, pa profesion dhe shpesh jashtë kontrollit të prindërve, nje gjeneratë e re po shndërrohet sot në një armatë vjedhësish, me premisa që në të ardhmen të implikohen në krime edhe më të rënda. Nga qendra e kryeqyteti deri në periferitë e fshatrave, adoleshentët jane të implikuar në numrin më të madh të vjedhjeve ordinere, të cilat shpesh kryhen edhe brenda familjes. Në këto kushte, sytë janë kthyer nga policia. Por ky nuk është thjesht një krim. Me shume se kaq ai është një problem i madh i shoqërisë me përmasat e një bombe sociale dhe si i tillë kërkon vëmendjen e të gjithë strukturave shtetërore dhe shoqërore.

Adoleshentja e droguar që jeton duke vjedhur

Gjykata e Tiranës ka rikthyer për të disatën herë në burg një adoleshente, e cila është përgjegjëse për një seri vjedhjesh në kryeqytet.

18-vjeëarja Megi ka qene edhe me parë e dënuar për vjedhje. Eshtë nënë e një fëmije një vjeç dhe aktualisht ndodhet sërish para gjykatës për shkak se u kap duke vjedhur në flagrancë në banesë së bashku me të dashurin e saj.

Njihet si një ndër kleptomanet dhe as shërbimi i provës nuk e ka ndihmuar të heqë dorë nga vjedhjet. Vajza nga Kombinati ka hyre në rrugën e krimit të rrugës që e vogel. Por sipas saj, ajo është kthyer në një hajdute fillimisht për shkak të varfërisë dhe së fundmi për shkak të droges.

“Jam e papërgjegjshme, jam e varfër, kur po vidhja isha nën efektin e drogës”, thotë para gjykatës 18-vjeçarja.

Megi Maknori dhe i dashuri i saj Endri Avdia edhe ky i dënuar më parë nga gjykata për vjedhje, u lanë nga gjykata me masën e arrestit me burg. Më parë ajo ka përfituar lehtësirat e moshës, ndërsa tashmë do t’i nënshtrohet një procesi gjyqesor, si të gjithë shtetasit e tjerë të akuzuar.

Top Channel