Stefanoviç: Faza e re e dialogut, më delikatja

07/03/2012 16:50

Faza e dytë në dialogun Prishtinë-Beograd do të nisë pas formimit të qeverisë së re serbe dhe do të sjellë në tryezën e bisedimeve çështje më të komplikuara.

Kështu ka deklaruar shefi i ekipit negociator serb, Brosillav Stefanoviç, i cili ka saktësuar se çështjet do të variojnë nga energjia dhe telekomunikacioni, deri tek plani i presidentit Tadiç për të zgjidhur çështjen e Kosovës.

Sipas tij, faza e re e bisedimeve do të ketë një peshë të madhe kur të afrohet koha për dhënien e datës së nisjes së negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Faza e parë e dialogut u kompletua me arritjen e shtatë marrëveshjeve që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve”, ka thënë Stefanoviç.

Duke folur për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, negociatori ka nënvizuar se ishte i kënaqur me atë që është arritur deri tani, duke shtuar se besonte se po të ulej në tryezë me Prishtinën do të arrihej një vendim, pavarësisht dallimeve mes dy palëve.

“Është e sigurtë se pavarësisht se një numër çështjesh të rëndësishme janë zgjidhur në maratonën e bisedimeve që kemi pasur, ata që do të vijojnë dialogun pas zgjedhjeve do të përballen me fazën më të komplikuar të tij”, ka theksuar Stefanoviç.

“Ata do të përballen me mundësinë e kthimit të dialogut në karakter politik, që do të vendosë marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës në të njëjtën linjë me interesat kombëtare dhe Kushtetutën e Serbisë”, ka thënë negociatori serb.

Ai ka shtuar se në vitin që lamë pas u arritën shtatë marrëveshje të rëndësishme, gjë që sipas tij tregon se problemet në Kosovë mund të zgjidhen përmes bisedimeve, duke ruajtur pozicionin e Serbisë mbi statusin e Kosovës, “që për ne nuk është dhe nuk do të jetë kurrë një shtet i pavarur”.

Top Channel