Rusi, sulm kamikaz, vriten 5 policë

07/03/2012 15:50

Një grua kamikaze vrau veten dhe pesë policë rusë, në një shpërthim të ndodhur në krahinën rebele të Dagestanit, mesditën e së mërkurës.

Lajmin e konfirmoi agjensia ruse e lajmeve “RIA Novosti”. Gruaja kishte mbetur e ve pasi bashkëshorti i saj, gjithashtu militant, ishte vrarë nga forcat e sigurisë disa javë më parë.

Gruaja iu afrua një poste policore në fshatin e Karabudakhentit dhe shpërtheu një sasi ekspolizivi që mbante në trup pranë një grupi policësh. Përveç viktimave, edhe dy policë të tjerë u plagosën rëndë.

Nuk është rasti i parë që në Rusi regjistrohen sulme nga gra kamikaze, të njohura ndryshe si “vejushat e zeza”. Ato janë të shpeshta në Kaukazin e Veriut dhe Dagestan, ku popullsia me shumicë muslimane kërkon pavarësinë nga Federata Ruse.

Presidenti i Dagestanit, Magomedsalam Magomedov premtoi kompensim për familjet e policëve të vrarë, ndërsa dënoi rëndë sulmin e ndodhur. “Situata në republikën tonë, për fat të keq, është e vështirë dhe vetëm patriotët e vërtetë mund të kryejnë deri në fund detyrën e tyre, me kurajo dhe guxim, pavarësisht rrezikut që u kanoset”, deklaroi ai.

Vendi ku ndodhu sulmi, Karabudakhenti, është një fshat i ndodhur 40 kilometra nga kryeqyteti i krahinës autonome, Makhaçkala, qytet i njohur sidomos për faktin se pret ndeshjet e skuadrës së Anzhit, ekipit ku luan edhe sulmuesi Eto’o.

Top Channel