Dy zjarre që shpërthyen mbrëmjen e së dielës në kryeqytet rizgjojnë edhe një herë tjetër shqetësimin e banorëve të pallateve të ndërtuara në vitet e fundit, për mungesen e shkallëve të emergjences apo edhe të masave të tjera mbrojtëse.
Në pallatin ku ra zjarri ditën e diel dhe që vuri në panik banorët e zonës së Zogut të Zi, ngrenë shqetësimin alarmant që pavaresisht një kostoje të lartë për blerjen e apartamentit, nuk ka masa të mjaftueshme për rastet e rënies së zjarrit.
“Duhet te kete shkalle emergjence, sidomos ne keto pallatet e reja, pasi derdhen shume para per te blere apartamente. Kjo mundesi duhet na jepte nje siguri per te evituar nje emergjence, nje fatkeqesi, nje zjarr. Vete ndertuesit duhet te mendojne per shkallet e emergjences”, thone banoret.
Në të gjitha rastet e zjarreve, në pallatet e larta jo vetëm në Tiranë, ka qenë vetëm ndërhyrja e forcave RENEA dhe skuadrat e shpëtimit të zjarrfikësave që kanë bërë të mos shkaktohen viktima, pasi banorët kanë qenë tërësisht në mëshirën e fatit.
Interesimit te Top Channel në bashki, në repartin e zjarrfikësave dhe Shoqatën e Ndertuesve ata i janë përgjigjur se nuk ka një ligj që detyron ndërtuesit shqiptarë që të pajisin pallatet me shkallë emergjence, nga ku banoret të mund të zbresin në rastet kur ndërtesa përfshihet nga zjarri dhe shkalla e brendshme është e bllokuar.
Ekspertët: Siguria, kriter për lejet
Të gjitha ndërtimet publike dhe shtetërore në vendin tonë, nuk i plotësojnë kriteret e ndërtimit për raste evakuuimi apo emergjencash.
Përjashtim bëjnë vetëm objektet e ndërtuara nga institucionet ndërkombëtare. Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Andrea Maliqari, sqaron se kompanitë e ndërtimit, deri me tani nuk jane te detyruara të zbatojnë një sere kriteresh për të izoluar zjarret apo për një evakuuim të sigurtë.
“Sa më parë duhet të parashikojmë jo vetëm në normat e projektimit, por edhe në përcaktimin e lejeve të ndërtimit të këtij elementi shumë të rëndësishëm. Nëse i referohemi këtij sistemi sigurie, nuk bëhet fjalë thjesht, vetëm për shkallët e emergjencës, por është një sistem i tërë që ka të bëjë me krijimin e mbrojtjes së këtyre elementëve të veçantë të ndërtesës, për izolimin e zjarrit dhe evakuimin e shpejtë të njerëzve që ndodhen në këtë situatë emergjence. Parametrat ekzistojnë në normat e projektimit, megjithatë unë mendoj që këto rregulla duhet të jenë pjesë e lejeve të ndërtimit që jepen nga bashkia ose institucionet që japin lejet e ndërtimit”, tha Maliqari.
Zbatimi i këtyre kritereve të detyrueshme për vendet e Bashkimit Europian do të sillte nje rritje të kostos së ndertimit.
“Për mua është e domosdoshme që nëse do të vendosen kritere dhe rregulla të tilla të mbrojtjes kundër zjarrit, ose të sistemit të mbrojtjes kundër zjarrit dhe të evakuimit është e domosdoshme që ky rregull të jetë edhe për ndërtesat,por edhe për të ndertesat ekzistuese, sepse ky është një fenomen që ndodh jo vetëm në ndërtimet e reja, por mund të ndodhë edhe në ndërtimet e vjetra, pra duhet të merren masat minimale, për t’i paraprirë këtij rreziku që mund të vijë nga zjarret, sidomos zgjidhjet urbanistike të ndërtesave që janë shumë afër njëra-tjetrës, krijojnë gjithnjë fenomene”, tha Maliqari.
Ky kriter duhet të zbatohet jo vetëm për objektet e reja që do të ndërtohen por edhe për ato që janë ndërtuar me parë. Vendosja e shkallëve të emergjencës, materialet e perdorura per dyert antizjarr, apo edhe materialet me te cilat ndertohen pallatet duhet te parashikojne edhe momentet kur ka zjarr, apo kur ka emergjenca publike
Top Channel