Kupa e Shqipërisë, Tirana virtualisht e kualifikuar

07/03/2012 17:00

U zhvilluan ditën e mërkurë ndeshjet e katërta në grupe të raundit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, takime në të cilat Tirana hodhi një hap të sigurt drejt kualifikimit.

Bardheblutë, njëkohësisht kryesues të Superligës, mposhtën në kryeqytet rivalët e Kamzës, me rezultatin 2-0. Golat e Balës dhe Cikalleshit ishin ato që bënë diferencën, ndërsa Kamza e zhytur në vështirësi në kampionat, u duk pak e motivuar për këtë takim mesjave në Kupë.

Me këtë fitore, Tiranës i duhet një pikë në dy ndeshjet e ardhshme për të siguruar kualifikimin midis katër më të mirave, ndonëse mund të kualifikohet edhe me dy humbje, nëse Kastrioti dhe Bylis, dy rivalët e tjerë të grupit, nuk i fitojnë të gjitha ndeshjet e mbetura.

Në takimin midis këtyre dy skuadrave, ballshiotët i kthyen reston krutanëve për humbjen e një jave më parë, duke fituar 3-1 në stadiumin “Adush Muça”, të Ballshit.

E ndryshme panorama në Grupin B të çerekfinaleve, ku situata në renditje mbetet e pandryshuar, pasi ndeshjet e së mërkurës prodhuan vetëm barazime.

Skëndërbeu vazhdon të kryesojë, por pas një paraqitje zhgënjyese ndaj shkodranëve, vetëm Plaku arriti të ribarazpeshonte takimin me një gol në minutën e fundit shtesë. Në ndeshjen tjetër, atë midis Flamurtarit dhe Laçit, vlonjatët gjithashtu arritën të shmangnin në fund humbjen në shtëpi, pas një penalltie të konvertuar në gol nga Pejiç në të 89’. Për kurbinasit, më parë kishte realizuar Buljan në të 15’.

Rezultatet
Grupi A

Tirana-Kamza        2-0
Bylis-Kastrioti         3-1

Renditja     N    F    B    H   Gola   Pikë
1. Tirana    4    3    1    0    6-1    10
2. Bylis      4    1    2    1    5-5    5
3. Kastrioti 4    1    1    2    5-7    4
4. Kamza   4    0    2    2    1-4    2

Grupi B
Skëndërbeu-Vllaznia    1-1
Flamurtari-Laçi            1-1


Renditja
1. Skëndërbeu  4    2    2    0    7-3    8
2. Vllaznia        4    1    2    1    3-3    5
3. Flamurtari     4    1    2    1    4-5    5
4. Laçi              4    0    2    2    2-5    2

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA