Zyrtarë nga Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në një takim rajonal, për herë të parë që nga nënshkrimi i marrëveshjes për përfaqësimin rajonal.

Takimi në fjalë u zhvilluar në Danillovgrad të Malit të Zi, ku u diskutua për arsimin dhe trajnimin në rajonin e Ballkanit perëndimor.

Serbia në këtë takim përfaqësohej nga zëvendësministri i Shkencës, Zoran Kostiç, ndërsa Kosova nga zyrtarja e Ministrisë së Arsimit, Riva Prekorogja.

Në tryezën e delegacionit Kosovar, pranë të cilës ndodhej ajo e delegacionit serb, ndodhej mbishkrimi “Kosovë”, i shoqëruar me asteriksin.

Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Leopol Maurer e vlerësoi si një fakt pozitiv për rajonin pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë.

Prishtina dhe Beogradi më 24 shkurt arritën marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal, e cila parashikon prezantimin e Kosovës me fusnotë.

Kjo e fundit përmban rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Kjo çështje kishte shkaktuar ndërprerjen për disa kohë të dialogut, pasi Prishtina insistonte në përfaqësimin e saj si shtet, ndërsa Beogradi këmbëngulte në rezolutën 1244.

Marrëveshja u përshëndet në masë nga faktori ndërkombëtar, si nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, si dhe një seri zyrtarësh të tjerë.

Ajo u kundërshtua ashpër nga opozita kosovare me pretendimin se e kthen Kosovën në kohën kur qeverisej nga UNMIK-u, me një status të papërcaktuar.

Por kongresmeni amerikan Eliot Engel e vlerësoi atë, duke nënvizuar se Kosova do të ketë më shumë përfitime se sa humbje nga nënshkrimi i këtij pakti.

Top Channel