Qeveria e Kosovës miraton pakon e tenderit për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re në kapacitet prej 600 megavatesh.

Pjesë e pakos tenderuese është edhe termoncentrali Kosova B nga i cili aktualisht furnizohen qytetarët me energji elektrike.

Ministri i zhvillimit ekonomik Besim Beqaj bëri të ditur se pjesëmarrja e qeverisë në këtë projekt do të jetë 49 përqind të aksioneve në minierën e thëngjillit dhe 31 përqind të aksioneve në gjenerimin e energjisë të termocentralit Kosova B.

“Është dashur të valorizohen resurset natyrore, është dashur të valorizohet vlera e thëngjillit e cila hyn në këtë projekt, është dashur valorizohet funksionimi i “Kosova B” për një periudhë dhe investimet që janë bërë në të, prandaj vlerësimi që është si preliminar është se Kosova diku 49% do të jetë aksionar në miniera/mihje, ndërsa rreth 31% si pozitë startuese e negocimit me investitorët do të jetë në gjenerim”, ka thënë ai.

Sipas ministrit Beqaj tha dokumentet e aprovuara kanë parasysh nevojën për sigurimin e energjisë stablie, koston e prodhimit të energjisë dhe mundësinë e qytetarëve për ta paguar atë energji, por sipas ministrit është marrë parasysh edhe ruajtja e ambientit dhe shendeti i qytetarëve.

Në garë për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re janë katër kompani. Këto kompani kanë afat deri më 30 shtator të këtij viti për të përgatitur ofertat. Ndërsa nëse gjithcka shkon sipas planit, Kosova e re do të fillojë së ndërtuari në vitin 2013.

Me ndërtimin e “Kosova e Re”, Qeveria e Kosovës ka marrë si obligim mbylljen e “Kosova A” deri më 2017 ndërsa “Kosova B” do jetë pjesë e projektit të ri, por që deri në po të njëjtin vit kur duhet të mbyllet “Kosova A”, ajo duhet të plotësojë standardet evropiane, me investimet që duhet të bëhen në të.

Top Channel