Vendet e Bashkimit Evropian, në veçanti Franca, kanë eksportuar armë drejt Greqisë për një vlerë që arrin mbi 1 miliard euro në vitin 2010.

Lajmin e bën të ditur faqja e internetit e EU Observer, sipas të cilës gjithçka ka ndodhur kur vendit i imponoheshin masa të rëndësishme anti-krizë kundrejt borxheve të shpëtimit.

Sipas burimit, Franca udhëheq klasifikimin me një kontratë prej 794 milionë eurosh për shitjen e avionëve, 58 milionë për shitjen e raketave dhe 19 milionë të tjera për pajisje elektronike.

Avokatët e masave anti-krizë, Holanda dhe Gjermania, së bashku shitën të paktën 90 milionë euro, kryesisht në pajisje elektronike dhe mjete ushtarake tokësore. Italia shiti 52 milionë euro në pushkë dhe pajisje ajrore, ndërsa Spanja 44 milionë në substanca kimike.

Aktualisht Greqia po përpiqet të ruajë çdo qindrakë të buxhetit të saj, por ajo mbetet nga ana tjetër një nga vendet që shpenzon më shumë për armët në rajon, për shkak të kërcënimit që i vjen nga Turqia.

Zëvendësministri i atëhershëm grek i Mbrojtjes, Panos Beglitis deklaroi se vendet anëtare nuk kishin ushtruar presion ndaj Athinës për të blerë armët në këmbim të ndihmave financiare.

“Kjo blerje e armëve në shkallë të gjerë ka qenë gjithnjë pjesë e bashkëpunimit me këto vende. Ajo nuk po bëhet për shkak të krizës, nuk ka lidhje fare me të”, tha Beglitis.

Por një bashkëpunëtor i ish-kryeministrit Jorgo Papandreu, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se:

“Askush nuk po na thotë ‘blini armët tona, ndryshe nuk do t’ju ndihmojmë’. Por është e qartë se vendet e tjera janë më bashkëpunuese nëse e bëjmë këtë gjë”.

Top Channel