Gjenerali iranian, lord i narkotrafikut

07/03/2012 18:55

Një nga oficerët më të lartë të trupave elitë iraniane, Al Kuds, është një ndër drejtuesit kryesorë të trafikut të heroinës nga Afganistani.

Deklarata është bërë nga Departamenti amerikan i Thesarit, që e ka vlerësuar gjeneralin Gholamreza Baghbani, drejtues i truapve të Gardës Revolucionare në kufirin afgan, si numrin një të narkotrafikut.

“Baghbani bashkëpunon ngushtë me trafikantët afganë dhe ka ndihmuar në dërgimin e armëve për guerrilasit talebanë”, thuhet në deklaratën e DATH.

Në deklaratë njoftohet më tej se shtetasit amerikane ndalohen të kryejnë transaksione financiare ose tregtare me oficerin në fajlë dhe se të gjitha asestet e tij që ndodhen në juridiksionin e Shteteve të Bashkuara do të ngrijnë.

Ndërkohë, mediat ndërkombëtare kanë raportuar ditën e mërkurë arrestimin në Republikën Çeke të një shtetasi iranian, të kërkuar në rang ndërkombëtar për trafik armësh.

Sipas burimeve, nga hetimet ka rezultuar se 49-vjeçari Behrouz Dovlatzadeh është përpjekur të blejë 500 armë të modelit “M4” në Pragë, me qëllim trafikimin e tyre në Iran.

Ai është arrestuar në muajin shkurt, gjatë një operacioni të agjentëve të policisë çeke, të cilët ishin infiltruar duke u hequr si tregtarë armësh.

Në hetimet dhe në operacionin në fjalë, kanë qenë të përfshira edhe shërbimet sekrete amerikane, të cilat kanë ndihmuar në arrestimin e iranianit.

I dyshuari do të përballet me akuzën e trafikut të armëve dhe shkelje të embargove ndërkombëtare të vendosura ndaj Iranit. Nëse dënohet ai mund të përballet me 10 vjet burg.

Top Channel