Prokurorët në proçesin për krime lufte ndaj nacionalistit serb Vojisllav Sheshel kanë kërkuar dënimin e tij me 28 vjet.

Sheshel, 57 vjeç, përballet me nëntë akuza, mes të cilave ato për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftërave të viteve 90 në Ballkan.

Prokurori Matias Marcussen kërkoi dënimin e tij në momentin kur mbylli argumentet e akuzave.

Sheshel nga ana e tij u deklarua i pafajshëm nga të gjitha akuzat kur proçesi nisi ndaj tij në vitin 2007, por pa bërë një mbrojtje konkrete dhe pa thirrur asnjë dëshmitar.

Ai akuzohet për ngritjen e një konsorciumi kriminal me ish-liderin Sllobodan Millosheviç, për të kryer spastrimin etnik në Bosnje, Kroaci dhe në rajonin verior të Vojvodinës.

Ndërsa mes akuzave të tjera që rëndojnë ndaj tij renditen: vrasje, tortura, dhunime seksuale, shpërngulje dhe shkatërrim prone.

Gjyqi ishte ndërprerë për një vit pasi prokurorët deklaruan se çështja ishte kompromentuar për shkak të kërcënimit të dëshmitarëve.

Sheshel u dorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës, në Hagë të Holandës, në vitin 2003. Në fillim të vitit 2012, ai kërkoi një dëmshpërblim prej 2 milionë eurosh, me pretendimin se gjykata i kishte shkelur të drejtat.

Ndërkohë, në Hagë po gjykohet edhe ish-lideri ushtarak i serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç, por proçesi ndaj tij është shtyrë për më 14 maj.

Top Channel