Vdes nën rrënoja 4-vjeçari

06/03/2012 19:15

Shembja e një magazine e ish-rezervave të shtetit i ka marrë jetën sot një fëmijë 4-vjeçar, ndërkohë që ka ngelur i plagosur daja i tij.

Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 të së martës në fshatin Lapardha, të komunës Otllak, në rrethin e Beratit.

Vogëlushi 4-vjeçar, me inicialet F. B mësohet se ka qenë duke luajtur në ish-magazinat e shtetit, në kohën që objekti është shembur krejtësisht.

Ka qënë daja i fëmijës, Haxhi Gjeli, i cili është gjetur në vendin e ngjarjes dhe ka dashur t’i japë ndihmën e parë nipit të tij, duke e nxjerr nga rrënojat, por pa mundur t’i shpëtojë jetën, ndërkohë që ka ngelur dhe vetë i plagosur.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur me shpejtësi dhe banorë të tjerë të fshatit, të cilët kanë transportuar drejt spitalit të plagosurin 35 vjeç, ndërkohë që trupi pa jetë i vogëlushit ka mbritur drejt morgut të spitalit të Beratit.

Marrja e hekurave për skrap nga ana e banorëve të fshatit nga ish-magazina e rezervave të shtetit duket se ka ndikuar në shembje e papritur të kësaj godine.

Top Channel