Spoti racist i BE-së

06/03/2012 00:00

Në projekt duhej të transmetonte mesazhe paqeje, por në të vërtetë shkaktoi krejt të kundërtën duke u vendosur në qendër të kritikave për racizëm ndaj minorancave.

Akuzat kanë vërshuar kundër një spoti promocional të Bashkimit Europian që synon një Europë më të madhe, më të zhvilluar e më shumë gjithëpërfshirëse për t’u shndërruar në një pikë referimi botëror.

Në spot shfaqet një grua e re e veshur me të verdha, ashtu si heroina e filmit “Kill Bill”, përleshet me 3 luftëtarë: një mjeshtër kinez të Kung Fusë, një indian me kamë dhe nga një luftëtar me ngjyrë. Luftëtarja me të verdha qendron e qetë para kundërshtarëve të saj, mediton e shumëfishohet duke formuar një unazë me 12 femra të veshura me të verdha, po aq sa yjet në flamurin e BE-së.

“Situata qetësohet” dhe të gjithë ulen bashkarisht në shesh…spoti mbyllet me sloganin: Sa më shumë të jemi, aq më të fortë jemi.

Spoti qarkulloi në Youtube për pak kohë, para se të hiqej përfundimisht. Aty ai u cilësua si racist ndaj minorancave duke personifikuar “zhdukjen e tyre” brenda Bashkimit Europian.

Top Channel