Paris-Londër, kaos në linjën e trenave Eurostar

06/03/2012 04:30

Mijëra udhëtarë janë përballur me vonesa, pasi shërbimet e trenave Eurostar u shtynë për faj të një defekti me kabëllat e energjisë së lartë në Francë.

Disa nga pasagjerët janë vonuar deri në nëntë orë, ndërsa Eurostar ka anuluar një numër të madh të trenave të planifikuar për të udhëtuar të martën.

Në një njoftim kompania kërkoi falje dhe bëri të ditur se gjithçka ndodhi për shkak të një defekti me një kabëll energjie që shërbente për kalimin e trenave nga shpejtësia e lartë në linjat me shpejtësi më të ulët.

Por ajo që cuditi ishte se policia hipi në një nga trenat, edhe pse qëllimi i pranisë së tyre ishte i paqartë.

Linja mes Londrës dhe Parisit zakonisht zgjat rreth dy orë e 15 minuta.

Eurostar më vonë komunikoi se të gjithë trenat e vonuar të nisur për  në St. Pancras në Londër kishin arritur.

Gjithsesi katër linja të mëvonëshme janë anuluar tashmë, ndërsa kompania e cila po pret që problemi të rregullohet rreth orarit të drekës, u ka thënë udhëtarëve që hasën vonesa nëse ishte e mundur të ndërronin biletat me ato të një dite më pas.

Top Channel