Opozita ruse e frikësuar

06/03/2012 20:45

Opozita ruse druhet se Vladimir Putin do të përdorë forcën për të mbytur cdo përpjekje tjetër të shprehjes së pakënaqësisë ndaj tij, pas ndalimit të qindra protestuesve që sfiduan fitoren e ish-oficerit të KGB-së në zgjedhjet presidenciale.

Pas tre muaj protestash paqësore kundër kreut të qeverisë, mbi 500 vetë u prangosën, përfshirë liderë opozitarë që dolën të hënën në tubime në Moske e Shën Peterburg.

250 aktivistë u lanë të lirë së fundmi, mes tyre edhe avokati dhe blogeri i njohur Aleksei Navalni. por ndërhyrja e ashpër e policisë po përkthehet si sinjal i qartë se Putini është duke e humbur durimin me kundërshtarët që kërkojnë më shumë demokraci, transparencë dhe reforma politike dhe tashme po tregon dhëmbët duke e bërë të qartë se nuk do të ngurojë të godasë këdo që del jashtë rreshtit.

Ndërkohë, gjatë një vizite në një qendër monitorimi, shefi i qeverisë pranoi se në zgjedhje mund të ketë patur shkelje dhe kërkoi hetimin e tyre.

“Sigurisht që parregullësi edhe ka patur. Ne duhet t’i identifikojmë ato që të gjitha e ta bëjmë të qartë se situata është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm”, tha ai.

Vëzhguesit perëndimorë e deklaruan hapur se fitorja e Putinit u arrit përmes favorizimeve ndaj tij dhe se ka patur shkelje në një të tretën e qendrave të votimit.

Navalny zotohet se do të ketë një fushatë protestash, “mosbindje civile” sic e quan ai, kundër atyre që i cilëson zgjedhje presidenciale kryekeput të manipuluara. Aktivisti rus pretendon se dhjetra-mijëra njerëz do të protestojnë nëpër rrugët e qyteteve ruse, deri sa kërkesat e tyre të plotësohen.

Top Channel