Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka shpërthyer në kritika kundër mënyrës së dialogimit me Serbinë. Kryetari Mustafa tha se LDK-ja asnjëherë nuk ka qenë kundër zhvillimit të dialogut me vendet fqinjë, e as kundër dialogut me Serbinë, por forma se si është zhvilluar ky dialog ka qenë e gabuar, prandaj edhe është kundërshtuar.
Këto deklarata kreu i partisë më të madhe opozitare në Kosovë i bëri gjatë një takimi me të ngarkuarin e Ministrisë se Punëve të Jashtme të Gjermanisë për Europën Juglindore, Nikolaus Graf Lambsdorff.
“Ne kemi vlerësuar se dialogu ka qenë i papërgatitur. Nuk janë përcaktuar objektivat e tij. Nuk është përcaktuar axhenda, nuk janë ditur përfitimet që do t’i ketë Kosova, prandaj LDK-ja e ka kundërshtuar dhe ka ngritur zërin kundër kësaj forme të dialogut”, tha kryetari Mustafa, duke shtuar se dialogu Kosovë – Serbi është përcjellë nga një mungesë transparence e plotë.
Kryetari Mustafa tha se LDK-ja është e qëndrimit se që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë të kalojnë nëpërmjet Kuvendit të Republikës se Kosovës, si dhe të bëhet ratifikimi i tyre.
Top Channel