Libia drejt ndarjes

06/03/2012 15:45

Pas rënies së Muamar Gadafit që u kushtoi jetën mijëra libianëve në një luftë civile që zgjati për muaj me radhë, vendi afrikano-verior duke se po përballet me një tjetër sfidë që këtë herë ka të bëjë me vetë ekzistencën e tij.

Sic njoftojnë mediat ruse, në Bengasi, 2 mijë delegatë të tribuve të Libisë Lindore u mblodhën dhe në fund të konferencës shpallën “pavarësinë” e Libisë Lindore. Ceremonia, thotë “Russia Today” ishte mjaft zyrtare dhe në të ishin përfaqësues të dalë nga zgjedhjet popullore.

Megjithatë kanë qenë vetë liderët e tribuve të Libisë Lindore që kanë përgënjeshtruar lajmin duke deklaruar se në dokumentin e firmosur prej tyre nuk është përmendur fjala “pavarësi”, por vetëm autonomi e zgjeruar. Në dokument, thonë ata, ne kërkojmë kompetenca të plota për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës dhe rikthimin e kushtetutës së para 1964, kushtetutë që e garantonte këtë.
 
Bengazi është qyteti i dytë më i madh në Libi dhe epiqendra e provincave ku janë të përqendruara burimet kryesore të naftës. Ky qyteti ishte gjithashtu edhe epiqendra e nisjes së protestave anti-Gadafi. Pikërisht nga ky qytet lindor i Libisë, mijëra protestues rrëmbyen armët dhe për ditë, javë e muaj, të ndihmuar edhe nga bombardimet e NATO-s, përparuan drejt Tripolit duke sprapsur forcat besnike të Gadafit si dhe duke zënë rob edhe vetë ish-diktatorin në afërsi të vendlindjes së tij, për ta ekzekutuar atë vetëm pak orë pas kapjes.

Jalil: Konspiracion i vendeve arabe

“Janë disa vende arabe që mbështesin pavarësinë e Libisë Lindore”. Ky ka qenë reagimi i parë i kreut të Këshillit Tranzitor Kombëtar të Libisë, Abdel Jalil nga Tripoli.

Duke komentuar ngritjen e këshillit të Libisë Lindore në Bengazi, Jalil tha se bëhet fjalë për një konspiracion anti-kombëtar që rrezikon ndërtimin e një Libie të bashkuar e demokratike.

“Është nisja e një konspiracioni kundër vendit tonë, kundër unitetit të vendit tonë. Lindja e këshillit mund të shpjerë në një Libi të përcarë dhe jodemokratike”, tha ai.
 

Top Channel