Komuniteti malazez në Kosovë do të zërë së shpejti vendin e tij në
Kushtetutën e Kosovës dhe do të përfaqësohet në institucionet
kushtetuese të këtij shteti.

Lajmi në fjalë, i publikuar nga mediat kosovare, i është komunikuar ministrit të Jashtëm malazez Milan Roçen nga homologu kosovar Enver Hoxhaj.

“Në Kosovë janë krijuar kushtet që komuniteti malazez të zërë së shpejti një vend në Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në letrën që Hoxhaj i ka dërguar Roçen.

Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës vetëm pak kohë pas shpalljes së saj, por shkëmbimi i ambasadorëve mes dy vendeve është kushtëzuar nga Podgorica me të drejtat e komunitetit malazez në shtetin e ri.

“Më 15 janar ka hyrë në fuqi ligji që është bazë për ndryshimet kushtetuese që do të bëhen në Kosovë gjatë vitit 2012, ku një prej qëllimeve është edhe futja e komunitetit malazez si kategori kushtetuese”, thuhet më tej në letrën e zotit Hoxhaj.

Në këtë mënyrë, komuniteti malazez në Kosovë do të trajtohet në mënyrë të barabartë me minoritetet e tjera, mes të cilave dominon ai serb, që është i përfaqësuar në qeveri dhe Parlament.

Në letrën e dërguar nga Prishtina zyrtare saktësohet më tej se me ligj do të mundësohet pjesëmarrja e dy përfaqësuesve të komunitetit malazez në Këshillin Konsultativ për Komunitetet.

Këshilli në fjalë përbëhet nga përfaqësues të të gjitha komuniteteve në Kosovë, si dhe eksponentë të qeverisë kosovare, zyrtarë të Presidencës dhe institucioneve të tjera të rëndësishme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA