Drejtues të shtetit, kryetar partish, deputetë, ushtarakë e qytetarë të të gjitha moshave, u bënë bashkë të martën, kur u përkulën para varrezave të familjes Jashari në Prekaz.

Që prej përfundimit të luftës, me miliona njerëz kanë ardhur në këtë vend për të nderuar sakrificën e familjes Jashari. Ish-kryeadministratori i Kosovës, Bernard Kushner, i cili më vonë u bë ministër në Francë, pati deklaruar se “sikur të ekzistonte çmimi Nobel për Liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit”.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga kabineti i tij, pasi ka bërë homazhe tek varrezat në Prekaz, ka thënë me këtë rast:

“Cdo herë që ne nderojmë të kaluarën, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rezistencën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, ne nderojmë të sotmen, marrim energji për të ardhmen për të konsoliduar shtetin tonë, për t’u integruar në NATO dhe BE”, deklaroi kryeministri Thaçi.

Pas homazheve kryeministri Thaçi nuk hyri në kullën e Jasharajve, ndërsa vazhdoi rrugën për në Klinë për të nderuar dëshmorët Mujë Krasniqi, dhe në Gllogjan vizitoi varrezat e dëshmorëve, kurse gjatë paradites pati vënë kurora me lule edhe tek shtatorja e dëshmorit Zahir Pajaziti.

Në anën tjetër, gjatë së martës, përfaqësuesi i familjes Jashari, Murati, ka uruar shqiptarët që ta shfrytëzojnë lirinë për ndërtimin e shtetit.

“Të gjithë ata burra dhe ato gra nëpër dekada e shekuj dhanë jetën për të mbërritur tek liria ne sot jemi në liri për të ndërtuar familjen dhe ekonominë tonë”, tha Murat Jashari, nipi Adem Jasharit.

Edhe një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje, qëndroi në Prekaz të martën, ndërsa pas homazheve dhe vizitës në familjen Jashari, Albin Kurti, u shpreh se “pikërisht para 14 viteve UÇK-ja mori një hov të rëndësishëm”.

“58 veta nuk e dhanë jetën thjesht vetëm për liri, por edhe për luftën clirimtare se pikërishet në këtë vend, para 14 viteve, mori një hov të madh Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, u shpreh kreu VV, Albin Kurti.

Manifestimi tre ditor për “Epopenë e UÇK-së” do të përmbyllet të mërkurën në mbrëmje me “Natën e Zjarreve”, ku do të ndizën “Flakadanët e Lirisë”, jo vetëm në Prekaz, por në të gjithë Kosovën.

Top Channel